presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

FJALA E PRESIDENTIT TË KOSOVËS, DR. FATMIR SEJDIU, NË AKADEMINË PËRKUJTIMORE KUSHTUAR 20-VJETORIT TË NDARJES NGA JETA TË AKADEMIK ALI HADRIT

” E nderuara familje Hadri,
Të nderuar pjesëmarrës të kësaj akademie përkujtimore,
Jemi mbledhur sot këtu, për ta përkujtuar intelektualin, studiuesin e njeriun e rrallë të Kosovës, Ali Hadrin, jeta dhe vepra e të cilit nderoi familjen, kolegët me të cilët punoi dhe të gjithë ata që patën fatin e madh të jenë bashkëluftëtarë të tij në idenë e shenjtë për një Kosovë të lirë e të prosperuar.

“Ali Hadri u lind në mars të vitit 1928 në Lushnjë, por u shkollua dhe u formua si intelektual e studiues në Kosovë. Më 26 dhjetor 1970, në Fakultetin Filozofik, ai e mbrojti me sukses doktoratën. Kjo datë është e rëndësisë së veçantë për arsimin dhe shkencën shqiptare, sepse ishte doktorata e parë e mbrojtur në Universitetin e Prishtinës. Mjafton ky fakt për ta vënë në pah rëndësinë e punës profesionale edukative e shkencore të Ali Hadrit, i cili në Kosovë tashmë me plot të drejtë çmohet si themeltar i shkollës sonë të historiografisë kombëtare.
Ali Hadri ishte drejtori i parë i Institutit të Historisë së Kosovës, ku punoi derisa organet pushtetit të atëhershëm e shkarkuan nga detyra, për shkak të mbështetjes së kërkesave të studentëve në demonstratat e vitit 1981, të cilat i mbrojti me përkushtim, me forcën e argumentit dhe me guximin e një atdhetari të rrallë.
Studiuesi Ali Hadri i takon brezit të intelektualëve të parë të Kosovës, të cilët me vendosmëri iu kundërvunë tezave të rrejshme serbe për Kosovën. Me shkrimet dhe me diskutimet e tij ai shpejt u bë boshti i një klase të tërë intelektualësh shqiptarë, që me qëndrime të matura dhe të argumentuara u bënë frymëzues të kërkesës për Republikën e Kosovës.
Mbrojtja dhe qëndrimi i palëkundur pas kësaj ideje, në rrethanat e atëhershme ishte sinonim i guximit të Davidit, i cili ndonëse e di që përpara ka Goliatin gjigand, ec me trimëri udhës së tij, i bindur se sakrifica e vetëdijshme është mundësia e vetme për mbijetesë.
Vetëm pak muaj para se të ndahej nga jeta, Ali Hadri shkruante me vetëdije të lartë kombëtare: ?Aspak nuk do të shqetësohem nëse do të bëhem viktimë e sadizmit politik, sepse edhe në këtë mënyrë da të ndajë fatin tragjik të popullit tim?.
Në këtë citat, lexuesi i kujdesshëm do të gjejë njeriun e intelektualin me ide të qarta, që i parandien dhe i parasheh ngjarjet, duke mos qenë asnjëherë vëzhgues pasiv i tyre, por paraprijës dhe vizionar i shkëlqyeshëm.
Koha e dëshmoi se akademik Ali Hadri pati të drejtë. Ai qëndroi në mënyrë stoike, duke mos lëvizur asnjëherë nga qëndrimet e tij atdhetare, liridashëse dhe shkencore. Besnik i idealeve të veta intelektuale, njerëzore e kombëtare ai u nda nga jeta në zenitin e veprimtarisë së tij të bujshme, duke lënë pas vetes një thesar veprash e studimesh me vlerë në shkencën e albanalogjisë në përgjithësi dhe në atë të historiografisë në veçanti.
Ali Hadri është ndër figurat më poliendrike të botës intelektuale dhe kombëtare në historinë tonë më të re.
Ai ishte shembull i udhëheqësit të suksesshëm institucional, duke drejtuar Institutin e Historisë, Fakultetin Filozofik, revistën ?Përparimi?, revistën ?Gjurmime Albanologjike? (seria historike) dhe revistën ?Kosova?. Ishte po ashtu njëri ndër themeluesit dhe anëtarët e parë të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si dhe udhëheqës e mentor i shumë studentëve pasuniversitarë e doktorantësh të historisë.
Ali Hadri, pra, është emër që nderoi shkencën shqiptare.
Si i tillë, emri i tij zë vend në piedestalin e personaliteteve më të ndritura të Kosovës dhe të gjithë kombit shqiptar.
Duke u mbështetur në dispozitat kushtetuese dhe ligjore, për merittat e jashtëzakonshme që ka pasur Ali Hadri në fushat e shkencës, kam vendosur ta dekoroj me Ëmimin Presidencial për Studiues.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për të dhe për veprën e tij shumë të vlefshme!
Ju faleminderit!

This site is registered on wpml.org as a development site.