DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

FJALA E PRESIDENTIT SEJDIU NË MANIFESTIMIN TRADICIONAL “EPOPEJA E USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS”

I nderuar kryeministër Thaçi,
I nderuar komandant i FSK-së, gjeneral Selimi,
Të nderuar deputetë, ministra,
Të nderuar anëtarë të familjes Jashari dhe familjeve të dëshmorëve të tjerë
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

Dymbëdhjetë vjet më parë, Kosova përjetoi njërin prej episodeve më të rënda të historisë së saj më të re. Pikërisht më 5 mars 1998, në Prekaz të Ulët të Drenicës, ra në altarin e lirisë Komandanti legjendar i Ushtrisë Ëlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, bashkë me babanë Shabanin dhe me vëllanë Hamzën. Atë ditë, përveç këtyre tre martirëve iu shua jeta edhe shumë njomakëve dhe anëtarëve të tjerë të familjes Jashari. Por, me flijimin e tyre unikat, ata u stolisën me kurorën më të praruar të historisë së luftës sonë të gjatë për liri e pavarësi, ata u shndërruan në një simbol të pakrahasueshëm të vetëflijimit sublim dhe të sakrificës për të mirën e atdheut.
Dymbëdhjetë vjet pas asaj sakrifice të paimagjinueshme, trungu i familjes Jashari është ripërtërirë me fëmijët e lindur pas mbarimit të luftës, me fëmijët që kanë trashëguar emrat e të parëve martirë, si për të pohuar fuqishëm se liria e një populli nuk mund të shuhet me asnjë lloj makinerie, me asnjë lloj krimi.
Sakrifica e Jasharajve, si dhe sakrifica e shumë familjeve të tjera anembanë Kosovës, ishte një tagër i madh që paguam ne si popull për lirinë tonë. Le të urojmë, nga ky shesh i Prishtinës, që Kosova të mos ketë kurrë më nevojë për flijime të tilla përmasash biblike, por që brezat tanë të ardhshëm të jetojnë në paqe, në harmoni dhe në dashuri me njëri-tjetrin.

Të nderuar pjesëmarrës të këtij manifestimi kaq të veçantë,

Republika e Kosovës ka hyrë në vitin e tretë të pavarësisë së saj. Gjatë kësaj kohe, ajo është dëshmuar si një faktor shumë i rëndësishëm i paqes dhe i stabilitetit në rajon. Kosova ka marrëdhënie të shkëlqyeshme me vendet e fqinjësisë së parë, me Shqipërinë, me Maqedoninë dhe me Malin e Zi, si dhe një bashkëpunim shumë intensiv e të frytshëm edhe me vendet e tjera të rajonit, siç janë Sllovenia, Kroacia, Hungaria, Rumania, Bullgaria dhe Turqia. Marrëdhënie të tilla ne dëshirojmë të kemi edhe me Republikën e Serbisë, e cila, për fat të keq, ende nuk po mund të lirohet nga logjika e vjetër e hegjemonisë ndaj të tjerëve, si ambicie të saj. Sido që të jetë, dora jonë për miqësi dhe bashkëpunim të sinqertë në mes dy shteteve sovrane, për të mirën e popujve tanë, mbetet e zgjatur.
Gjithsesi, përveç të arriturave të shumta, si çdo vend që porsa ka shpallur pavarësinë, ne kemi pasur edhe sfida të ndryshme, të cilat kanë kërkuar dhe kërkojnë përqendrimin maksimal të energjive tona. Pa i numëruar veç e veç, pohojmë se para nesh ende mbeten shumë detyra për t?u bërë, të cilat na obligojnë ne të gjithëve që të punojmë edhe më shumë, gjithmonë me besimin se finalja do të jetë e suksesshme dhe vendi ynë do t?ia dalë mbanë dhe do t?i përballojë vështirësitë.
Kosova e pasluftës është një rrëfim suksesi; një rrëfim i suksesit të popullit të Kosovës dhe institucioneve të saj, një rrëfim i suksesit të vendeve mike të Kosovës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendeve të Bashkimit Evropian dhe shumë vendeve të tjera nga të gjitha kontinentet, të cilat na ndihmuan t?i shërojmë plagët e luftës dhe të ndërtojmë shtetin tonë të lirë, sovran e demokratik.
Pa dyshim, institucionet e tilla si Forca e Sigurisë së Kosovës, e cila po formësohet dita-ditës si një forcë profesionale dhe e disiplinuar e të gjitha komuniteteve tona etnike, janë garanci se Kosovën e pret një e ardhme shumë më e ndritur sesa e kaluara e saj tepër tragjike.

Forca e Sigurisë e Kosovës është ndërtuar dhe po përsoset si një forcë moderne, e ndihmuar nga ekspertë të NATO-s dhe sipas standardeve të kësaj aleance, e gatshme për të ndihmuar në të gjitha proceset e ndërtimit dhe ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në vend.
Ju të dashur pjesëtarë të FSK-së keni obligim të përgatiteni sa më mirë në kryerjen e detyrave tuaja, si pjesëtarë të FSK-së nga të gjitha komunitetet, në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit.
Duke parë shkallën e përgatitjes suaj dhe gatishmërinë për kryerjen e detyrave dhe obligimeve që dalin para jush, institucionet e Republikës së Kosovës kanë shprehur gatishmërinë që FSK të marrë pjesë në operacionet ndërkombëtare, në kuadër të operacioneve të NATO-s, qoftë edhe simbolikisht, për të ndihmuar në të gjitha situatat ku ka nevojë, në të mirë të paqes dhe stabilitetit në botë.
Pjesëmarrja juaj në operacionet e ndihmës të përmbyturve në rajonin e Shkodrës në Shqipëri dëshmoi edhe një herë shkallën e lartë të përgatitjes suaj profesionale dhe përkushtimin për të dhënë kontributin tuaj të madh në shpëtimin e jetës dhe pasurisë së njerëzve.

Të dashur qytetarë,
Zonja dhe zotërinj

Republika e Kosovës është vend demokratik i të gjithë qytetarëve të saj, të cilët janë të barabartë përpara ligjit pa dallim etnie, gjuhe a besimi. Të gjithë të rënët për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës u flijuan me ideale të tilla, me idealet e një Kosove evropiane të vlerave më të larta njerëzore, qytetare e shtetërore.
Kosova esencialisht është vend evropian, ndaj logjikshëm synon që sa më parë të jetë edhe de jure pjesë e institucioneve të Evropës, siç janë Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian dhe mekanizma të tjerë të rëndësishëm.
Duke qenë thellësisht e përkushtuar për paqen dhe stabilitetin e të gjithë rajonit, Kosova synon po kështu që sa më parë të bëhet anëtare e NATO-s. Ky objektiv është njëri ndër misionet tona më të rëndësishme, sepse Kosova në NATO nënkupton sigurimin e paqes së qëndrueshme jo vetëm për vendin tonë, por për mbarë këtë pjesë të Evropës Juglindore.
Për ta përmbyllur këtë fjalë, dua t?ju rikujtoj moton tonë të përhershme politike, të cilën e artikuloi aq mirë Presidenti ynë historik dr. Ibrahim Rugova: Kosova e pavarur, demokratike e paqësore, e integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe në miqësi permanente me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo është vullneti politik i popullit të Kosovës, ky është themeli i paqes dhe i së ardhmes më të lumtur të fëmijëve të Kosovës dhe fëmijëve të të gjithë rajonit.

Lavdi të gjithë atyre që u sakrifikuan për lirinë e Kosovës.
Ju faleminderit!

This site is registered on wpml.org as a development site.