Zoti kryeministër,
Zoti ambasador,
Deputetë,
Ministra,
Të nderuar mysafirë, pjesëtarë te medias
Shkëlqesi Ambasadorë,
Është nder të jem këtu përkrah ambasadorit të sapo akredituar të Japonisë në Republikën e Kosovës z. Mizuuchi dhe të gjithë juve, për të shënuar këtë rast të veçantë të ditëlindjes së Perandorit.
Në këtë ditë, i urojmë Madhërisë së Tij, Perandorit Naruhito dhe popullit të Japonisë paqe, begati dhe shëndet. Festimi i sotëm i Sovranit të Japonisë është gjithashtu një festë e historisë së pasur të Japonisë, traditave dhe përfundimisht e popullit të saj. Është një festë e forcës dhe qëndrueshmërisë së kombit japonez.
Dy vendet tona mund të jenë larg në distancë, por në vlera dhe orientim politik nuk mund të ishim më afër. Ne ndajmë një vizion për një botë paqësore të rrënjosur në sistemet e bazuara në vlera të cilat na bashkojnë.
Nga etika e punës, tek vlerat dhe tradita familjare, nga vizita ime në Japoni vitin e kaluar e di se përveç politikave dhe vizionit tonë, njerëzit tanë kanë edhe shumë të përbashkëta. Por ndoshta në mënyrë unike ne ndajmë një lidhje me dashurinë tonë për sportin e xhudos.
Më kujtohet shpesh momenti i veçantë në të cilin dy superyjet tanë fituan medalje të arta në Tokio, kur kryeministri i atëhershëm i Japonisë më tha gjatë takimit tonë dypalësh: “E dini, zonja Presidente, e vetmja herë kur Japonia humbë një medalje të artë në xhudo është kur luajmë kundër Kosovës”.
Shumë të rinjve kosovarë iu është dhënë mundësia unike për të studiuar në Japoni dhe ka pasur investime japoneze këtu në vendin tonë, por shpresojmë që të dyja këto të rriten në muajt dhe vitet e ardhshme.
Krahas të qenit aleati ynë më i rëndësishëm në kontinentin e Azisë, Japonia ka qëndruar pranë nesh në ditët tona më të errëta dhe ka vazhduar të ecë me ne në rrugëtimin tonë shtetndërtues me projekte të ndryshme të cilat kanë bërë një ndryshim të thellë, një ndryshim më pozitiv në jetën e qytetarëve tanë.
Do të doja të përfitoj gjithashtu nga ky rast t’ju uroj mirëseardhje z. Ambasador, t’ju mirëpres përsëri në Republikën e Kosovës këtu në mesin e miqve dhe t’ju them se mund të vazhdoni të mbështeteni në Kosovën si në një partner demokratik, të vendosur dhe të besueshëm. Shpresojmë që emërimi juaj do të vazhdojë ndërtimin mbi themelet e forta të aleancës sonë dhe se do të hapë kapituj të rinj të bashkëpunimit midis dy vendeve tona.
Populli i Kosovës ka dashuri për vendin tuaj dhe në emër të tij dua t’ju uroj të gjithëve Gëzuar Ditëlindjen e Perandorit!
Faleminderit.
Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR