DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentes Osmani në Konferencën Rajonale “Bashkëpunimi Rajonal dhe Axhenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor”

Të nderuar deputetë nga Republika e Kosovës dhe nga vendet e rajonit, është kënaqësi që të jemi sot bashkë 

Të nderuar ekspertë të fushës, analistë, përfaqësues të komunitetit të biznesit,

Të gjithë ju të pranishëm,
 
Dua të filloj duke ju uruar mirëseardhje mysafirëve si dhe të ftuarve nga rajoni dhe duke falënderuar PIPS-in për angazhimin aktiv dhe të vazhdueshëm në drejtim të promovimit të dialogut të mirëfilltë si dhe drejt hulumtimit profesional me qëllim të avancimit të agjendës së gjelbër në rajonin tonë, por  në veçanti këtu në Republikën e Kosovës.
 
Ky vit shquhet për shumëçka, por dua t’ju siguroj që në Republikën e Kosovës po shquhet edhe për një valë tejet pozitive të dominimit të diskursit rreth agjendës së gjelbër në debatin publik. Angazhimi ynë në politikë shtrihet përgjatë një kohe të gjatë siç e dini, dhe nuk ka ndodhur ndonjëherë më parë që të kemi kaq shumë aktivitete e kaq shumë diskutim për sektorin e energjisë sa kemi pasur deri tani këtë vit.
 
Realisht, një situatë e tillë na gëzon shumë, sepse më në fund kemi arritur të kuptojmë se për sektorin e energjisë duhet të flasin shumë më shumë njerëz se sa vetëm ekspertët e fushës dhe inxhinierët. Për sektorin e energjisë nuk mjafton të diskutohet vetëm njëherë në vit apo vetëm në  situata të jashtëzakonshme. Padyshim se ekspertiza si dhe inxhinierët janë përgjegjësit kryesorë për dizajnimin e politikave të duhura, apo për propozimin e tyre, por energjia është më shumë se sa vetëm një sektor – sektori i energjisë është boshti i zhvillimit tonë ekonomik.
 
Andaj, energjia nuk mund të jetë kurrsesi një temë e izoluar.  Kemi nevojë për dialog të hapur, për bashkëpunim ndërparlamentar si dhe bashkëpunim të vazhdueshëm rajonal.
 
Prandaj, konsideroj se diskutimi mbi Bashkëpunimin Rajonal dhe Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor është tejet i dobishëm dhe po ndodh në një moment vendimtar përballë dinamikave tejet sfiduese që po i shohim në Evropë e po ashtu edhe në rrafshin global.
 
Kriza energjetike si dhe pasojat e saj vazhdojnë të rëndojnë thellë sistemet energjetike në rajon dhe në gjithë kontinentin tonë. Në anën tjetër lufta në Ukrainë i ka rritur shqetësimet dhe ka vendosur të tërë kontinentin tonë në një situatë jashtëzakonisht kritike për sa i përket garantimit të sigurisë energjetike.
 
E në një situatë të tillë po shohim se si po sfidohen shtetet e Bashkimit Evropian dhe jo vetëm, karshi zotimit për të përmbushur objektivat për dekarbonizim të sektorit të energjisë si dhe jetësimit kuptimplotë të Agjendës së Gjelbër.
 
Ky është rreziku më permanent i kësaj kohe. Të detyruar për të gjetur zgjidhje afatshkurtra, përballemi me situata kur mund të rrezikojmë objektivat afatgjata, të cilat janë definuar mirë në Marrëveshjen e Parisit e pastaj janë përqafuar edhe nga rajoni ynë nëpërmjet Samitit të Sofjes. 
 
Përkundër mesazheve të qarta e zotimeve për ndryshim të politikbërjes si rezultat i pandemisë, emetimet globale të dioksidit të karbonit të lidhura me sektorin e energjisë janë rritur për 6% në vitin 2021. Respektivisht, janë emetuar 36.3 miliardë ton dioksid karboni në atmosferë në vitin që e kemi lënë pas e ky shënon nivelin më të lartë të emetimeve në tërë historinë e njerëzimit. Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, arsyet e kësaj burojnë tek fakti se ekonomia botërore u ringjall fuqishëm pas krizës Covid-19 dhe ekonomitë botërore u mbështetën shumë në qymyr për të fuqizuar pikërisht këtë rritje.
 
E duket që situata në 2022 nuk do të jetë shumë ndryshe sesa kjo që tashmë e prezantova. Mbrëmë po lexoja se si të përballur me sfidën e nevojës për garantim të furnizimit të rregullt me energji, Gjermania po detyrohet të shqyrtoj riaktivizimin e termocentraleve me qymyr për të përballuar largimin nga gazi rus.
 
Të gjendur përballë lajmeve të tilla, natyrshëm shtrohet pyetja nga disa se pse duhet ne të bëjmë e të veprojmë ndryshe, këtu në Kosovë? Sado e vështirë që mund të duket në këtë moment, arsyet për tranzicionin e gjelbër janë të panumërta: 
 
·   E para, tranzicioni i gjelbër do të thotë më pak ndotje, pra më shumë shëndet për qytetarët tanë
·  E dyta, tranzicioni i gjelbër do të thotë krijim të vende të reja të punës – vende të reja të punës të qëndrueshme dhe të gjelbra 
·   Tre, tranzicioni i gjelbër do të thotë vizion për të ecur në hap me kohën
·   E katërta, tranzicioni i gjelbër do të thotë më shumë zhvillim dhe më shumë inovacion
·   E pesta, tranzicioni i gjelbër do të thotë më shumë bashkëpunim ndërmjet qeverive, parlamenteve, bizneseve, akademive dhe të gjithë njerëzve tanë
·   Po ashtu, tranzicioni i gjelbër do të thotë një hap më afër Bashkimit Evropian
 
Ka edhe shumë e shumë arsye të tjera, por, Agjenda e Gjelbër në përgjithësi duhet të jetë zgjidhja jonë sot e secilën herë. Ky është veprimi më i mençur në aspektin ekonomik, në aspektin gjeostrategjik, por mbi të gjitha, në aspektin e mirëqenies së qytetarëve tanë, të shëndetit të tyre dhe avancimit të mirëqenies së gjithmbarshme. 
 
Agjenda e Gjelbër nuk mund të shihet më vetëm si një koncept i qëndrueshëm zhvillimor. Në fakt, agjenda e gjelbër është shndërruar në boshtin e tërë konceptit të zhvillimit ekonomik brenda Bashkimit Evropian. Kjo është dëshmuar më së miri nëpërmjet Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane e cila pastaj është transferuar tek vendet e Ballkanit Perëndimor nëpërmjet Deklaratës së Sofjes dhe zotimeve të bëra nga të 6-shtë vendet e rajonit tonë.
 
E fokusuar në pesë shtylla të veprimit, respektivisht në dekarbonizim, në ekonomi qarkore, në reduktimin e ndotjes, sisteme të qëndrueshme ushqimore dhe zona rurale si dhe mbrojtja e biodiversitetit,  Agjenda e Gjelbër synon të shndërrohet në motorin e përshpejtimit të zhvillimit ekonomik pikërisht duke promovuar politika inovative e transformuse të përqendruara në avancimin e konektivitetit e bashkëpunimit rajonal.
 
Për më tepër, të gjitha këto zotime janë të shoqëruara e të mbështetura përmes Planit Ekonomik dhe të Investimeve i cili është i  përbërë nga 9 miliardë euro grante dhe 20 miliardë euro në garanci, duke siguruar burimin financiar për shndërrimin e fjalëve në vepra.
 
Të nderuar pjesëmarrës, 
 
Ne jetojmë ne realitete shumë të ndryshme sot nga ato që mund të ishin para jo më larg se 5 viteve. Përderisa mund të na duket se janë sfidat shumë më të mëdha e ndoshta vështirë të përballueshme, duhet të kuptojmë se në laboratore, qendra hulumtuese, e universitete anembanë botës po punohet me dinamikë të paparamendueshme për të jetësuar Agjendën e Gjelbër nëpërmjet sigurimit të teknologjive dhe zgjidhjeve inovative që i japin frymë asaj.
 
Prandaj, sot ne kemi nevojë më shumë se kurrë për dialog të nivelit të tillë, ku përtej diskutimit e bashkëpunimit politik, krijojmë hapësirë edhe për dialogim me bizneset. Sepse, fundja, do të jenë bizneset motori i ndryshimit dhe garantuesit e një mjedisi ekonomik të përshtatshëm për nevojat e sistemeve energjetike të së ardhmes. Ata po e dëshmojmë këtë çdo ditë e më shumë. 
 
E  mbi të gjitha, ne duhet ta bëjmë këtë tranzicion të prekshëm për secilin njeri. Ne e kemi për obligim t’ua komunikojmë çdo ditë qytetarëve tanë se në këtë rrugëtim nuk ia dalim dot të vetëm. Duhet ta vëjmë qytetarin në qendër të këtij tranzicioni, duke e rritur vetëdijen e të gjithëve për veprim të përgjegjshëm, por edhe duke dizajnuar politika të tilla të cilat ia lehtësojnë përditshmërinë qytetarëve dhe u garantojnë një të ardhme më të gjelbër e më të shëndetshme.
 
Përderisa ne jemi në një momentum të rëndësishëm për vendin tonë duke qenë se po finalizohet një prej dokumenteve më strategjike e cila është Strategjia e Energjisë, duhet të mos harrojmë nevojën për bashkërendim të veprimit me sektorin e transportit, të bujqësisë e të ndërtimtarisë. Duhet të kuptojmë rëndësinë e veprimit dinamik për menaxhim të mbeturinave e reduktim të sasisë së prodhuar të tyre. Duhet përfundimisht ta kemi të qartë arsyen primare të përkushtimit për mbrojtje të mjedisit e cila po aq sa ka të bëjë me mbrojtjen e natyrës ka të bëjë po ashtu edhe me mbrojtjen e shëndetit tonë. E duhet po kaq shumë të kuptojmë se ndryshimet klimatike nuk njohin kufij dhe se pasojat e tyre po i dallojmë gjithsecili prej nesh tashmë.
 
Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për mendim të kthjelltë, vizion të qartë e veprim sistematik. Andaj, më vjen mirë t’ju shoh të gjithëve prezent si sot në këtë konferencë, por edhe në shumë diskutime e tryeza të shumta përgjatë muajve që kemi lënë pas, sepse në këtë mënyrë ne kemi mundësi të kuptojmë më mirë realitetet e përditshme por edhe të identifikojmë politikat e duhura që i përgjigjen këtyre realiteteve në vendet tona respektive.
 
Të dashur pjesëmarrës,
 
Përkundër sfidave me të cilat ballafaqohemi sot, le të mos lëkundemi nga ajo që tashmë është dëshmuar të jetë investimi më i mençur i ditëve tona e që është përqafimi i zhvillimit ekonomik të gjelbër, i politikbërjes së gjelbër, i mendimit të gjelbër, dhe i veprimit të gjelbër.
 
Ju faleminderit për ftesën. Ju uroj diskutime përmbajtësore e një konferencë të suksesshme.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.