DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentes Osmani në Javën për të Drejtat e Viktimave të Krimit

E nderuara zonja Ministre e Drejtësisë , znj. Albulena Haxhiu,
I nderuar kryeprokuror i shtetit z. Lumezi ,
Të nderuar përfaqësues të gjykatave, prokurorive, të gjitha institucioneve të drejtësisë,
Përfaqësues diplomatik të korit diplomatik, ambasadorë dhe ju të tjerë, 
Të nderuar gjithë ju të pranishëm,

Kam kënaqësinë që t’ju drejtohem në këtë ngjarje, duke pasur parasysh rëndësinë e sundimit të ligjit në përgjithësi, i cili është edhe prioritet i angazhimit tim si Presidente e vendit, por në veçanti meqenëse sot po flasim për një prej fushave më të rëndësishme që ka të bëj edhe me besueshmërinë e qytetarëve në këtë sistem të drejtësisë, pra mbrojtja e viktimave të krimit. 

Po filloj ndoshta nga ajo që është parimi më bazik që të gjithë ne si juristë e kemi mësuar në vitin e parë të Fakultetit Juridik që obligimi i shtetit në raport me të drejtat e njeriut qoftë e drejta në jetë, qoftë mbrojtja e dinjitetit, qoftë mbrojtja gjyqësore e të drejtave dhe lirive të njeriut nuk janë vetëm obligime negative të shtetit, që nënkupton mos ta cenosh atë të drejtë, por janë edhe obligime pozitive të shtetit që nënkupton t’i mbrosh ato, kur ato janë në rrezik që të cenohen nga të tjerët.  

Qoftë mbrojtja e të drejtës në jetë, ku ne e kemi obligim të qartë, qoftë mbrojtja e të gjitha viktimave të krimit si institucione të drejtësisë është parim i cili duhet ta përcjellë secilin prej jush, e secilin prej nesh, por në veçanti juve si përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, përfaqësuesit e policisë dhe institucionet e tjera të sigurisë ku viktimat drejtohen për të kërkuar mbrojtje .  

Prandaj, kjo Javë është tregues se përveç rritjes së nivelit të vetëdijes për të vendosur drejtësi për viktimat e krimit, duhet rritur po ashtu edhe efikasitetin në sundimin e ligjit, sikurse edhe shërbimet ndaj viktimave, të cilat duhet të jenë një veprim i përhershëm i institucioneve. 

Synim i shtetit tonë është një shoqëri pa dhunë, respektivisht edhe pa viktima, ndaj në këtë rrugë ngritja e vetëdijes dhe ngritja e efikasitetit për mbrojtjen e  drejtave të viktimave ndikon drejtpërdrejt edhe në perceptimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë dhe në sundimin e ligjit në përgjithësi. 

Më 2019 dhe 2020, janë nëntë gra që kanë pësuar më jetë nga dhuna e shkaktuar nga burrat. Deri në shtator të këtij viti janë edhe tri gra të tjera  viktima, teksa në Polici, deri në këtë periudhë viti janë raportuar siç u tha mbi 1500 raste të dhunës ndaj grave, dhunës mbi baza gjinore. 

Siç po e shihni, statistikat janë trishtuese. Pra, dhuna ndaj grave është bërë sfidë jo vetëm për institucionet, por edhe shoqërinë kosovare, në përgjithësi, dhe ne nuk mund të heshtim ndaj kësaj gjendjeje, sikurse nuk mund të heshtim as ndaj nevojës për mbështetje më të madhe të viktimave.

Shkaktarët e krimit duhet të ndëshkohen, kurse viktimat duhet të rehabilitohen, të inkurajohen dhe të mbështeten institucionalisht. 

Ruajtja e jetës e dinjitetit, dhe mbrojtja e viktimave të krimit, është edhe obligim kushtetues, edhe obligim ligjor, por edhe obligim moral ndaj shoqërisë sonë. 

Një gjë është e padiskutueshme dhe e pakompromis: ajo është që mosndëshkueshmëria e krimit kërkon zero tolerancë. Kur flasim për mosndëshkueshmërinë, flasim edhe për nivelin e dënimeve, edhe për cilësinë e dënimeve, edhe për peshën që kanë viktimat në sytë e sistemit tonë të drejtësisë, por edhe për rëndësinë të cilën e ka jeta, integriteti dhe mirëqenia e secilit në Republikën e Kosovës. 

Me avancim të të drejtave të mbrojtjes së viktimave, nuk nënkuptojmë vetëm ndëshkueshmërinë e krimit ose përmbylljen e një rasti gjyqësor penal apo civil për kompensim material, por secilin aspekt dhe element fizik, financiar, emocional e moral, të cilin viktimat e krimit e kishin përpara se ta përjetonin çfarëdo vepre penale kundër tyre. 

Mua më vjen mirë që kësaj jave i jepet një rëndësi e tillë. Por ndryshimi i vërtetë pozitiv arrihet me prokurorë e gjyqtarë të profilizuar, në krye të detyrës, të cilët e kuptojnë rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të viktimave, dhe se si kjo do të ndikojë pozitivisht në rritjen e besueshmërisë së të gjithë qytetarëve në raport me sistemin e drejtësisë. Pra, profesionistë që kanë aftësitë dhe profesionalizmin e domosdoshëm për hetimin dhe gjykimin e veprave penale, por mbi të gjitha gëzojnë edhe besimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Ligjet e aplikueshme në vend, specifikojnë se viktimat e krimit duhet të trajtohen duke respektuar edhe të drejtën për siguri, dinjitet, jetën private dhe familjare të tyre, duke njohur ndikimin negativ të krimit te viktima. 

Është momenti i fundit që këto ligje të materializohen në plotni, sepse sundimi i ligjit është teorikisht i kotë, pa mekanizma efektiv, sikurse është e kotë të flasim për jetë të dinjitetshme, pa sundim të mirëfilltë të ligjit.

Për fund, dua të rikonfirmoj angazhimin tim personal për të bashkëpunuar me të gjithë prokurorë, gjyqtarë, polici, institucione të sigurisë të cilët integritetin, respektimin e ligjit dhe sundimin e ligjit e kanë prioritet mbi prioritetet. 

E po ashtu, që të gjithë bashkërisht të punojmë për të lehtësuar barrën e viktimave të krimit, për t`i mbështetur ata që u shërbejnë këtyre viktimave, pra që i mbrojnë këto viktima dhe për ta zvogëluar numrin e këtyre viktimave në të ardhmen duke ndihmuar zbatimin e ligjit, në mënyrë që shoqëria jonë të ndihet e sigurt. Së bashku, ne mund të sigurojmë një të ardhme më të sigurt për qytetarët e Republikës së Kosovës, pa frikë e pa dyshim në institucionet e saj. Vetëm bashkë, dhe vetëm duke prioritizuar mirëqenien e qytetarëve, mund të krijojmë një shoqëri ku besimi në sistemin e drejtësisë nuk mbetet më çështje e përceptimit, por bëhet fakt i matshëm dhe i pakontestueshëm.

Integriteti, profesionalizmi dhe pavarësia e institucioneve të drejtësisë është garanca që e kërkojmë të gjithë në Republikën e Kosovës. Jotoleranca për shkelësit e ligjit, kushdo e kudo qofshin ata, është ajo cfarë të gjithë qytetarët tanë presin nga institucionet e drejtësisë  në  vend. Prandaj, është  e domosdoshme që  të  gjitha përprekjet tona institucionale e shoqërore të  shpiejnë  drejt ndërtimit dhe garantimit të  një  sistemi të  drejtësisë  që  mbi të  gjitha, është  i pavarur, profesional dhe me integritet, e që e ka prioritet mbrojtjen e të drejtave të viktimave. Kushdo që e ka këtë synim, do ta ketë tërë mbështetjen time si Presidente e vendit. 

Për fund, dua ta ritheksoj atë që përbën qelizën dhe motivin e angazhimit tim institucional: që kur flasim për integritetin, përfshirë atë të institucioneve, ju garantoj se heshtja ime nuk do të jetë kurrë alternativë në rast të cenimit të sundimit të ligjit. Nëse heshtim para padrejtësive, kjo do të nxisë edhe më shumë ata që kryejnë vepra penale, e do të dekurajojë viktimat e krimit që të kërkojnë mbështetje nga shteti. Prandaj ta ngrisim zërin që të gjithë bashkë, por mbi të gjitha e përtej ngritjes së zërit të veprojmë, të veprojmë konkretisht në mbrojtje të atyre që kanë nevojë për mbrojtjen e shtetit, në mënyrë që sistemi ynë i drejtësisë ta gëzojë besimin e të gjithëve.  

Ju faleminderit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.