presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentes Jahjaga në pesëmbëdhjetëvjetorin e themelimit të Bankës Qendrore të Kosovës

Ju shpreh përgëzimet e mia në këtë jubile të pesëmbëdhjetë të themelimit të Bankës Qendrore të Kosovës, një prej shtyllave të rëndësishme të shtetësisë sonë.

I nderuar z. Guvernator Hamza,E nderuara ambasadore Jacobson,I nderuar ambasador Cliff,I nderuar ambasador Minxhozi,I nderuari përfaqësues i zyrës së BE-së, z. Gnocchi,Të nderuar të pranishëm,Zonja dhe zotërinj, Ju shpreh përgëzimet e mia  në këtë jubile të pesëmbëdhjetë të themelimit të Bankës Qendrore të Kosovës, një prej shtyllave të rëndësishme të shtetësisë sonë. Gjatë gjithë kësaj periudhe, Banka Qendrore e Kosovës ka përmbushur me përkushtim funksionet e saj, në veçanti përmes rregullimit dhe mbikëqyrjes së sektorit bankar për të siguruar pajtueshmërinë me rregullat e menaxhimit të shëndoshë dhe për të garantuar stabilitetin e sistemit tonë financiar.Puna e mirë në rregullimin dhe mbikëqyrjen e kujdesshme të sektorit bankar, ka bërë që ne sot, përkundër faktit se bota është trandur nga një krizë e fuqishme ekonomike dhe financiare, të kemi një sektor bankar të shëndoshë, me banka të kapitalizuara mirë përmes depozitave vendore, duke e bërë ekonominë tonë më të pavarur nga lëvizjet në tregjet ndërkombëtare.Mbikëqyrja profesionale e sektorit bankar dhe përshtatja e vazhdueshme e legjislacionit në linjë me kërkesat dhe nevojat e tregut, ka ndikuar dukshëm edhe në zvogëlimin e rrezikut moralBanka Qendrore e Kosovës mbetet prandaj njëra ndër shtyllat kryesore institucionale të ekonomisë, shtyllë e sistemit financiar dhe mbrojtëse e stabilitetit financiar e makroekonomik të vendit. Të nderuar të pranishëm, Sot jemi të vetëdijshëm se liria ekonomike është një e mirë e pandashme nga liria individuale dhe kolektive. Liria ekonomike është fondament për një performancë më të fuqishme ekonomike. Ajo siguron prosperitet ekonomik e stabilitet social. Prandaj, si e tillë ajo duhet të kultivohet, të mbrohet e të mbahet lartë në agjendën e prioriteteve tona. Lehtësimi i  konkurrencës së lirë dhe zhbërja e karteleve dhe monopoleve, mundësojnë rritje të qëndrueshme e gjithëpërfshirëse ekonomike, të mbështetur tek frytet e iniciativës së lirë, të inovacionit dhe të hulumtimit e zhvillimit.”Pushteti i koncentruar ka qenë gjithnjë dhe mbetet armiku kryesor i lirisë”, do të thoshte Presidenti Ronald Reagan. Nëse duam një shoqëri të lirë – e ky sigurisht se vazhdon të mbetet synim i yni kryesor – ne duhet të nxisim konkurrencën e lirë dhe të pamundësojmë koncentrimin e pushtetit në duar të një pakice, e cila pastaj keqpërdorë sistemin për t’ju siguruar favore të padrejta individëve dhe grupeve të caktuara të interesit. Kjo nuk është ekonomi e lirë e tregut, por ekonomi e elitave të vetëquajtura, që shndërrohen në pengesë të zhvillimit tonë të gjithmbarshëm. Një shoqëri e lirë dhe demokratike, e bazuar në kushte të tregut dhe konkurrencës së lirë, nuk mund të ekzistojë e shkëputur nga ligji. Këtu barra e përgjegjësisë bie para së gjithash mbi institucionet politike dhe ekonomike të cilat duhet të bëjnë punën e tyre, të krijojnë mekanizma nxitës e mbështetës për ekonominë, e para së gjithash të kujdesen për zbatimin e ligjit dhe krijimin e parakushteve për zhvillim gjithëpërfshirës ekonomik. Politika duhet të jetë lehtësuese e zhvillimit dhe jo pengesë e tij. Veprimet e papërgjegjshme, që shkaktojnë kriza të panevojshme politike, duhen mënjanuar sepse ato dëmtojnë legjitimitetin e institucioneve, perspektiven ekonomike dhe të ardhmen e qytetarëve tanë. Kriza të tilla politike, të shoqëruara me efektet e krizës ekonomike, shumë shpejt shndërrohen në krizë të besimit, e cila është po aq me pasoja. Qeverisja joefektive e shpërfaqur përmes deficiteve në sundimin e ligjit dhe mungesës së vizionit për një zhvillim të mirëfilltë ekonomik, është faktor që po ndikon në besimin e qytetarëve në institucionet e vendit. Shkalla e pamjaftueshme e rritjes ekonomike, papunësia dhe mungesa e efektivitetit qeverisës po çojnë në një ambient që e stimulon pasigurinë dhe e rritë ndikimin e grupeve kriminale dhe ekstremiste. Rrjedhimisht, numri i të rinjve që përfshihen në aktivitete kriminale ose bëhen pre e rekrutimeve për “luftëra të shenjta” jashtë vendit është shqetësues. Edhe më shqetësuese është dukuria e migrimit ilegal të qytetarëve tanë, që javëve të fundit duket se ka marrë hov. Kjo na rikujton se ne duhet të përkujdesemi më fuqishëm për politikat tona ekonomike, për sundimin e ligjit, për legjitimitetin shtetëror e për të ardhmen e qytetarëve tanë. Zonja dhe zotërinj,Problemi i papunësisë zgjidhet me politika të mirëfillta ekonomike e me një përkushtim serioz në të gjitha nivelet, sepse vetëm kështu mund të thyhet së pari kjo krizë e thellë e besimit, që pastaj të krijohen parakushtet për një progres të mirëfilltë ekonomik në mbarë vendin tonë. Ne si shoqëri me potenciale të mëdha njerëzore e natyrore, duhet të ndërtojmë një vizion të qartë ekonomik, që duhet të jetë vizion gjithëpërfshirës, që definon rrugët dhe mënyrat për një zhvillim të mirëfilltë ekonomik, pjesë e të cilit duhet të jetë secili qytetar i Kosovës pa dallim. Për këtë duhet të kemi guxim për reforma strukturore. Duhet të kemi guxim të gjejmë rrugët për të aktivizuar kapacitetet tona, qofshin ato prodhuese, shërbyese, minerale, energjetike apo para së gjithash kapacitetet njerëzore të cilat ne i kemi. Rruga drejt prosperitetit ekonomik konsiston në zhbllokimin e këtyre resurseve dhe potencialeve të jashtëzakonshme që ka vendi ynë. Ne duhet të lehtësojmë zhvillimin e sektorit privat, në linjë me mundësitë tona dhe me zhvillimet në tregjet ndërkombëtare. Një vëmendje e veçantë në këtë plan duhet t’i kushtohet edhe integrimit ekonomik të komunave në veri të vendit përmes projekteve dhe iniciativave që synojnë përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë atje dhe krijimit të parakushteve për zhvillimin  e ndërmarrësisë dhe formalizimin e ekonomisë edhe në këtë pjesë të shtetit tonë. Zhvillimi ekonomik është domosdoshmëri, por edhe përgjegjësi, prioriteti ynë mbetet ekonomia dhe punësimi, sepse duam një vend të zhvilluar, ku secili do të gjejë mundësinë për një jetë më të mirë. Një zhvillim i qëndrueshëm ekonomik dhe social i cili sjell mirëqenie tek qytetarët dhe garanton stabilitetin, paqen dhe lirinë tonë. Në këtë frymë, i nderuar z. Guvernator, dua edhe njëherë të ju uroj këtë përvjetor, duke shfaqur konsideratën time më të lartë për institucionin që ju drejtoni, të cilit i uroj suksese të vazhdueshme edhe në të ardhmen!Ju faleminderit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.