presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentes Jahjaga në manifestimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Në këtë ditë të veçantë të Kosovës po nderojmë me respekt të gjithë ata që ranë në altarin e lirisë dhe njëkohësisht po kujtojmë me shumë nderim gjenerata të tëra që bënë sakrifica sublime për lirinë, pavarësinë dhe paqen e Kosovës.

Jam e nderuar që në këtë shënim të përvjetorit, të organizuar nën patronazhin e kryeministrit të Kosovës, të përkujtojmë me shumë dhimbje e krenari të gjithë ata që ia dhuruan Kosovës të sotmen duke i hapur dritaren e të ardhmes më të ndritshme. Ne qytetarët e këtij vendi përkulemi përpara sakrificës dhe heroizmit të atyre burrave e grave që Kosovën e deshën me dashuri, që e panë të lirë dhe të përparuar dhe që i dhanë më të shtrenjtën për të nesërmen e gjeneratave të reja.    Kosova është amaneti dhe forca e tyre dhe guximi ynë për ta bërë vendin e ëndrrave për të gjithë ata që jetojnë në të, pa dallim, të dinjitetshëm dhe të barabartë. Është atdheu i njerëzve të lirë; një vend që diversitetin etnik, kulturor e fetar e ka shndërruar në vlerën më të madhe të shoqërisë, një vend në paqe me të gjithë.Sot është dita që simbolizon bashkimin e qytetarëve të Kosovës rreth një synimi të përbashkët: për ndërtimin e një vendi të zhvilluar e të përparuar, demokratik e shumë kulturor. Është dita kur duhet më shumë respekt e dashuri për atdheun, pa e sfiduar demokracinë e brishtë të tij. Sot është dita kur mendohet për të ardhmen e gjeneratave të reja: duke lënë anash dallimet politike, duke hequr dorë nga inatet dhe egot dhe duke punuar fort për realizimin e aspiratave tona,  për një ekonomi të zhvilluar që mban të rinjtë brenda shtetit, për një shtet të së drejtës kur secili është i barabartë përpara ligjit, për një vend të begatë për secilin qytetar të tij. Është dita kur duhet të përmbyllim procese të rëndësishme për vendin, për të hapur perspektivat tona, përfshirë edhe shndërrimin e kësaj Force të Sigurisë së Kosovës në një Forcë të Armatosur, për të cilën do të vazhdojmë të jemi krenarë të gjithë. Sot është koha për Kosovën! Kosova është një realitet i pakthyeshëm; një paqe e fituar pas një lufte të gjatë e të rëndë; një liri për të cilën është sakrifikuar; një miqësi e përjetshme me SHBA-në që kanë qëndruar kaq pranë nesh në secilin kapitull të shtetndërtimit. Kosova është vlera e shtuar e stabilitetit dhe sigurisë jo vetëm në rajon, një forcë e pazëvendësueshme e fqinjësisë, garantuese e paqes për të gjithë që hap rrugën e integrimeve. Kosova është edhe dhimbja edhe krenaria e përbashkët dhe prandaj është fuqia jonë për të dëshmuar se mund ta bëjmë ëndrrën e të gjithë atyre që sakrifikuan për të – realitetin më të mirë.  Lavdi! 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.