Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mori pjesë sot në manifestimin në shënimin e 100-vjetorit të Kuvendit të Junikut.
Gjithashtu, Presidentja Jahjaga mori pjesë edhe në ceremoninë e vënies së gurthemeli për memorialin e 100-vjetorit të Kuvendit të Junikut, si dhe në inaugurimin e qendrës rajonale te turizmit. Në vijim po sjellim fjalimin e Presidentes Jahjaga: Të nderuar Junikas,Të nderuar qytetarë të të gjitha viseve të Kosovës dhe Shqipërisë, që sot keni ardhur këtu që bashkërisht të shënojmë këtë datë kulmore të historisë sonë,I nderuar kryetar Kuvendit, z.Krasniqi,I nderuar Kryeministër Thaçi,I nderuar Ambasador Lauka,I nderuar Kryetar i Komunës së Junikut, Kuçi,Të nderuar Kryetarë të Komunave të Republikës së Kosovës,Të nderuar udhëheqës dhe përfaqësues të Bashkive të Republikës së Shqipërisë, Jam e nderuar që jam këtu, në Junik, në vendin ku para 100 vjetësh u mblodhën prijësit e kombit tonë dhe e përcaktuan rrugën e lirisë dhe të pavarësisë. Rrugë e cila zgjati shumë dhe që me shpalljen e Pavarësisë së Republikës së Kosovës u përjetësua ideali i shumë brezave që nuk u ndalën asnjëherë duke punuar për çlirim kombëtar, për pavarësi dhe për demokraci. Pikërisht në këtë vend, këtu në Junikun legjendar, u hartua për të parën herë programi kombëtar konkret i përshtatur në kushtet e rrethanat e kohës, i mbështetur në grykën e pushkës, në kryengritjen e armatosur që e solli valëvitjen e lirë të flamurit në Vlorën heroike, më 28 nëntor të vitit 1912. Populli ynë e ka historinë e lavdishme, për të cilën jemi krenarë. Kuvendi i Junikut i paraqiti botërisht kërkesat politike për njohjen e subjektivitetit dhe sovranitetit të shqiptarëve në të gjitha trojet etnike. Këto kërkesa, duke respektuar realitetin e brendshëm dhe të jashtëm, synonin autonominë e Shqipërisë brenda Perandorisë Otomane, vendosjen e administratës shqiptare në gjithë territorin, caktimin e gjuhës shqipe me alfabetin kombëtar latin si gjuhë zyrtare, ngritjen e flamurit kombëtar në gjithë vendin si dhe emërimin e një guvernatori të përgjithshëm nga trashëgimtarët e familjeve të princave shqiptarë. Gjithashtu, u kërkua nga fuqitë e mëdha të asaj kohe që të jenë garantë për zbatimin e këtyre kërkesave. Të nderuar Junikas, sepse ne të gjithë sot jemi në Junik, Përpjekjet tona për Lirinë dhe Pavarësinë e Kombit dhe të Vendit, për krijimin e shtetit, zgjatën shumë, më shumë se tek të gjithë popujt e tjerë. Ne atëherë, nuk e patëm përkrahjen e popujve fqinj në luftën tonë për Liri, edhe pse ne luftuam dhe ndihmuam pavarësinë e të gjitha shteteve përreth. Edhe pse patëm kundërshtimin dhe ndërhyrjen ushtarake të shteteve fqinje, që masakruan popullsinë dhe zaptuan trojet tona, ne i mbijetuam sprovave të historisë dhe arritëm ta ruajmë qenien tonë kombëtare, biologjike dhe sot ne jemi të lirë dhe i dalim zot vetvetes, duke qenë faktor paqeje dhe stabiliteti, i fuqishëm dhe i respektuar, duke e ndërtuar një të ardhme më të ndritur. Ne sot, si asnjëherë më përpara, e kemi përkrahjen e miqve tanë ndërkombëtarë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të Bashkimit Evropian. Përpjekjet tona për të qenë të lirë, të dinjitetshëm, të barabartë dhe zotnues të trojeve tona, nuk pushuan kurrë. Prandaj ne sot, të gjithë së bashku dhe të lirë, po festojmë dhe po i nderojmë ngjarjet tona historike. Në këtë ditë, të kujtojmë punën, angazhimin dhe flijimin e bijve dhe bijave më të shtrenjta të vendit. Të kujtojmë ideologun e kryengritjeve shqiptare për pavarësi Hasan Prishtinën, ideatorin dhe arkitektin e pavarësisë së Republikës Kosovës, Presidentin tonë Ibrahim Rugova, mençurinë dhe largpamësinë e tij, komandantin legjendar Adem Jashari, përkushtimin, guximin dhe heroizmin e tij. Të kujtojmë këtu të gjithë pjesëtarët e luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që në radhët e saj pati shumë trima e heronj si: Sali Çeku, Luan Haradinaj, Fehmi e Xhevë Lladrovci, Agim Ramadani, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxhën dhe shumë trima e trimëresha, që sot populli u ka ngritur përmendore. Liria dhe Pavarësia, nuk u fituan lehtë. Liria dhe Pavarësia e Republikës së Kosovës, është e pakthyeshme dhe do të mbrohet me çdo çmim. Motra dhe vëllezër, Secila gjeneratë i ka idealet e veta. Secila gjeneratë bën përpjekje duke pasur parasysh kohën dhe mundësitë që i ka. Ne nuk duhet të jemi rob të ideve dhe koncepteve të së kaluarës. Secili brez e ka ëndrrën e tij dhe secila kohë i zgjedhë mjetet dhe metodat më të pranueshme, për të realizuar qëllimet dhe synimet e veta. Ne Shqiptarët si komb, kudo që jemi, dëshirojmë të jetojmë në paqe dhe në harmoni me të gjithë popujt e botës. Duke respektuar idealet e të parëve tanë, ne sot e synojmë rrugën e integrimeve evropiane dhe euroatlantike, duke u bërë vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe i NATO-s. Kështu e mbrojmë pavarësinë dhe lirinë tonë, kështu e sigurojmë të ardhmen e fëmijëve tanë. Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë, dy shtete të pavarura dhe sovrane, sot po i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë që të ndërtojmë, zhvillojmë dhe avancojmë marrëdhëniet për të mirën e të gjithë qytetarëve. Ne sot jemi më të fortë se kurdoherë më parë gjatë historisë. Sepse jemi së bashku. Ne ndihmojmë, nderojmë dhe kemi mirëkuptim për njëri-tjetrin. Respektojmë rendin dhe ligjin, duke punuar pa ndalur për atdheun dhe për të ardhmen tonë evropiane. Ne jemi komb modern, zhvillohemi dhe përparojmë çdo ditë. Përqafojmë ide të reja, të arriturat teknologjike, tregun e konkurrencës dhe kontribuojmë në zhvillimet bashkëkohore botërore. Qytetarë të nderuar, Ta duam njëri-tjetrin, të punojmë me përkushtim, vendosmëri dhe me sinqeritet. Të mbajmë fjalën dhe besën. T’i realizojmë të gjitha idealet tona. Të ndërtojmë një të ardhme më të mirë, më të sigurt dhe më të lumtur. Kuvendi i Junikut, me kushtrimin për liri kundër robërisë, e bashkoi gjithë popullin shqiptar, solli lirinë, solli pavarësinë e Shqipërisë dhe të Kosovës. Gëzuar 100-vjetori i Kuvendit të Junikut!Gëzuar 100-vjetori i Pavarësisë!