presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentes Atifete Jahjaga në konferencën me temën “Zhvillimi Ekonomik Lokal”

Në kuadër të angazhimeve të mia për të tematizuar çështjet themelore për zhvillimin ekonomik, në fillim të këtij viti, bashkërisht me Odën Ekonomike të Kosovës, Odën Ekonomike Gjermane dhe Odën Ekonomike Amerikane kam vizituar disa nga komunat tona dhe jam njoftuar me sfidat drejt nxitjes së punësimit dhe investimeve.

Zonja dhe zotërinj,Në kuadër të angazhimeve të mia për të tematizuar çështjet themelore për zhvillimin ekonomik, në fillim të këtij viti, bashkërisht me Odën Ekonomike të Kosovës, Odën Ekonomike Gjermane dhe Odën Ekonomike Amerikane kam vizituar disa nga komunat tona dhe jam njoftuar me sfidat drejt nxitjes së punësimit dhe investimeve. Jam e lumtur që sot jemi mbledhur këtu për të diskutuar bashkërisht rezultatet e këtyre vizitave dhe për të adresuar sfidat që pengojnë zhvillimin e biznesit, krijimin e vendeve të punës dhe ngritjen e standardit jetësor për qytetarët e vendit tonë. Zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm është i arritshëm vetëm nëpërmes një politikëbërjeje dhe planifikimi afatgjatë. Strategjitë zhvillimore qeveritare duhet të konceptohen në bashkëpunim të ngushtë e të vazhdueshëm edhe me komunat, duke i inkurajuar ato që të jenë akterë të përhershëm edhe në implementimin e këtyre strategjive. Një koordinim dhe bashkëpunim më i fuqishëm në mes të qeverisë dhe komunave është i domosdoshëm. Politikëbërja ad-hoc dhe e fragmentarizuar duhet të shmanget, sepse kështu mund të arrihen vetëm rezultate afatshkurtra e të paqëndrueshme. Pasojat e politikave të tilla po i ndjen sot sektori privat dhe qytetari ynë.Politikëbërja dhe zbatimi i politikave kërkojnë kompetencë institucionale. Komunat tona kanë nevojë të shtuar për të ngritur kapacitetet e tyre, për të qenë në shërbim të zhvillimit ekonomik. Masat për ngritjen e kapaciteteve institucionale dhe të efektshmërisë janë të domosdoshme për të arritur deri tek nivelet e kënaqshme të shërbimeve publike, duke mbajtur gjithnjë nën kontroll shpenzimet buxhetore.Studime të ndryshme dëshmojnë se një numër i konsiderueshëm i komunave të Kosovës ofrojnë shërbime të pamjaftueshme për biznesin. Kjo reflektohet pastaj në një nivel më të ulët të aktivitetit afarist nëpër ato komuna. Komunat që kanë, për shembull, infrastrukturë më të mirë dhe një bazë më të fuqishme të resurseve njerëzore, arrijnë të tërheqin më shumë investime dhe anasjelltas. Kjo e bën edhe me të qartë nevojën e krijimit të instrumenteve që përmirësojnë kushtet e afarizmit nëpër komuna, cilësinë e qeverisjes, si dhe forcojnë dialogun publiko-privat edhe në nivelin komunal.Përmes vizitave tona kemi vërejtur se duhet bërë më shumë në identifikimin e përparësive dhe sfidave me të cilat përballen bizneset nëpër komuna, me synim të ndërtimit të koncepteve reale për formësimin e të ardhmes ekonomike nëpër rajone. Ky formësim nënkupton ndërtimin dhe zbatimin e koncepteve zhvillimore mbi pikat e forta, specifike dhe unike të komunave dhe rajoneve e jo kopjimi i tyre nga të tjerët. Konceptet e tilla krijojnë kushtet dhe kapacitetet, që ekonomia jonë të identifikojë dhe të zhvillojë resurset e saj të brendshme në mënyrë që të bëhet e konkurrueshme në tregun kombëtar e rajonal, por edhe në tregjet globale.Ekonomia jonë mund të konsiderohet konkurruese kur qytetarët tanë do të mund të gëzojnë standarde të larta dhe në rritje të jetesës dhe punësim të lartë mbi një bazë të qëndrueshme. Në këso kushte, niveli i aktivitetit ekonomik nuk do të shkaktojë bilanc të jashtëm të paqëndrueshëm e as nuk do të vë në rrezik mirëqenien e brezave të ardhshëm.Konkurrueshmëria e ekonomisë sonë kombëtare nis nga krijimi i kushteve të lira dhe të ndershme të tregut për të prodhuar mallra dhe shërbime që plotësojnë testin e tregjeve ndërkombëtare, ndërsa njëkohësisht kontribuojnë në zgjerimin e të ardhurave reale të qytetarëve.Prandaj, ajo që jemi përpjekur të arrijmë me këto vizita është një kuptim më i mirë i çështjeve që janë të rëndësishme për përmirësimin e qeverisjes ekonomike, duke filluar nga komunat, me qëllimin afatgjatë të arritjes së mirëqenies ekonomike për të gjithë qytetarët tanë.Tani kur kemi nënshkruar MSA-në duhet të kemi parasysh edhe masat dhe mjetet për të mënjanuar kostot e përshtatjes ndaj liberalizimit tregtar me BE-në, veçanërisht kur është fjala për humbjen e të hyrave buxhetore dhe rritjen e presionit të konkurrencës për ndërmarrjet tona. Paralelisht me këtë duhet të zhvillojmë nisma të përshtatshme të cilat e ndihmojnë procesin e rialokimit të resurseve drejt sektorëve që përfitojnë nga liberalizimi.Energjitë tona duhet të fokusohen në aktivitetet përtej analizave e debateve. Tani kërkohen nisma konkrete përmes dialogut të vazhdueshëm me sektorin privat për të formësuar rrugën e zhvillimit ekonomik. Sektori publik në përgjithësi dhe komunat në veçanti nuk kanë ekskluzivitet në krijimin e politikave zhvillimore. Roli i tyre bëhet i fuqishëm dhe efikas vetëm kur këto politika dizajnohen bashkërisht me sektorin privat, odat ekonomike dhe shoqërinë civile dhe kur implementimi i tyre bëhet nën monitorim të përbashkët. E gjithë kjo politikëbërje dhe zbatimi i tyre duhet të promovojnë dhe të ruajnë kushtet ekonomike që mundësojnë daljen e nismave të reja në treg mes tjerash edhe duke mbështetur krijimin e njohurive dhe rritjen e nivelit të dijes e inovacionit, forcimin e ndërmarrësisë dhe qasjen në tregje e kapital.Në fund, më lejoni t’i falënderoj Odat Ekonomike të Kosovës për kontributin e tyre gjatë këtyre vizitave dhe t’i inkurajoj që të vazhdojnë të kultivojnë dialogun për të mirën e zhvillimit ekonomik dhe të mirëqenies së qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.