Përkujtimi i datave të rëndësishme të historisë, që shënojnë jubiletë kulturore dhe arsimore, janë nderim dhe respekt për të kaluarën tonë, për të gjithë ato gra dhe burra që punuan për përparimin, për emancipimin dhe për zhvillimin e gjithanshëm, që u shkrinë për lirinë dhe pavarësinë kombëtare.
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,E nderuara zëvendëskryeministre Edita Tahiri,I nderuar ministër Ramë Buja,I nderuar kryetar i komunës së Prizrenit, z.Ramadan Muja,I nderuar Ipeshkëv i Kishës Katolike të Republikës së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji,I nderuar Arqipeshkv i Tivarit, Imzot Zef Gashi,I nderuar Kryegjysh i Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, Edmon Brahimaj,Të nderuar ambasadorë,Të nderuar përfaqësues të komunave te Kosovës,Të nderuar profesorë, studiues dhe nxënës,Të nderuar priftërinj dhe murgesha të kishës katolike,Të nderuar qytetarë, Përkujtimi i datave të rëndësishme të historisë, që shënojnë jubiletë kulturore dhe arsimore, janë nderim dhe respekt për të kaluarën tonë, për të gjithë ato gra dhe burra që punuan për përparimin, për emancipimin dhe për zhvillimin e gjithanshëm, që u shkrinë për lirinë dhe pavarësinë kombëtare. Arsimimi i popullit, dhe sidomos shkollimi i vashave që nisi simbolikisht këtu në Prizren përpara 120 vjetëve, krahas shkollës së parë kombëtare shqipe të Korçës të Pandeli Sotirit dhe shkollës së vashave të motrave Qiriazi, ishte hapi më domethënës dhe më kuptimplotë i rrugës së dijes, që na radhiti neve në familjen e popujve të qytetëruar, dhe që ishte norma konkrete në barazinë gjinore. Rilindja kombëtare, dhe lëvizja jonë kombëtare, ndodhën krah për krah, me arsimimin shqip të popullit, që duke vënë në spikamë vlerat kulturore, traditën dhe trashëgimin e pasur, ngjalli ndjenjën atdhetare dhe krenarinë kombëtare, duke brumosur idetë përparimtare të kohës.Shkolla e vashave në Prizren e hapur pranë Kishës Katolike edhe me programin laik të saj, ishte vullnet i patriotëve klerik dhe dëshirë e familjeve që t’i shkollojnë vajzat e tyre, për të nxënë dijen dhe për t’i shërbyer atdheut.Komunitetet tona fetare: myslimane, ortodokse, katolike, bektashiane, krahas besimit e dashurisë në Zotin, e mbajtën gjallë dhe e kultivuan shpirtin e atdhedashurisë, për të qenë zot në tokën tonë, të lirë dhe të pavarur. Të nderuar të pranishëm,Populli ynë tregoi vitalitet, vendosmëri, mençuri, përkushtim dhe organizim, duke i kapërcyer të gjitha sfidat, duke mposhtur të gjitha vështirësitë dhe sot duke qenë i lirë dhe i dinjitetshëm po bëjmë hapa të shpejtë në rrugën e integrimeve euroatlantike, në miqësi, në mirëkuptim dhe në tolerancë me të gjithë popujt e tjerë. Ne po i kushtojnë vëmendje të posaçme pozitës së gruas në shoqëri, duke e pasur këtë si orientim strategjik të ndërtimit dhe të përparimit të proceseve demokratike. Gruaja në shoqërinë tonë ka qenë dhe është pjesëmarrëse aktive në të gjitha proceset e rëndësishme nëpër të cilat ka kaluar dhe po kalon Kosova. Gruan sot e shohim në pozitat më të larta vendimmarrëse, si bartëse e ndryshimeve në shoqërinë tonë. Institucionet e Kosovës vazhdojnë të jenë të përkushtuara për fuqizimin politik dhe ekonomik të gruas, për të ndërtuar një shoqëri ku të gjithë qytetarët pa dallim, gëzojnë të drejta dhe mundësi të barabarta. Në kauzën tonë të drejtë patëm dhe kemi përkrahjen e fuqishme të miqve tanë ndërkombëtarë, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të vendeve të Bashkimit Evropian, duke dhënë kontributin tonë në proceset e paqes, të sigurisë dhe të mirëkuptimit ndërmjet vendeve dhe popujve.