Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mori pjesë sot në ceremoninë e zbulimit të shtatores së Ali Ibrës, në Gjakovë. Në ceremoni ishin të pranishëm edhe kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi e zyrtarë të tjerë të lartë.
Me këtë rast, ajo mbajti një fjalim, të cilin po e sjellim në vijim:
I nderuar Kryeministër Berisha,
I nderuar Kryeministër Thaçi,
I nderuar Kryetar i Komunës Leka,
Të nderuar pasardhës të atdhetarit Ali Ibra, familje e madhe Neza,
Të nderuar bashkëqytetarë të mi të Gjakovës,
Të nderuar pjesëmarrës ne këtë tubim, që shprehë simbolikën e përpjekjeve tona shekullore për Liri dhe për shtet.
Gjakova sot por edhe gjithë Kosova është e nderuar me ngritjen e shtatores së prijësit të Lidhjes Shqiptare, të udhëheqësit të kryengritjeve për çlirim kombëtar, të Komandantit të luftërave për ruajtjen e tërësisë territoriale të tokave Shqiptare.
E nderuar Gjakovë, e nderuar Malësi e Gjakovës,
Jeni të shënuar për mikpritje dhe bujari, për qytetari dhe për trimëri. Për përkushtim ndaj Atdheut. Kjo anë, gjithmonë gjatë historisë sonë të lavdishme kombëtare ishte e rreshtuar drejt, me nder dhe me dinjitet. Shpesh herë qendër e Lëvizjes Atdhetare. Udhëheqëse e proceseve shtetformuese.
Duke i ngritur shtatoret ne vlerësojmë punën dhe nderojmë veprimtarinë e brezave të mëhershëm. Të veprimtarëve që sakrifikuan dhe gjithmonë punuan për atdheun, për popullin tonë, që të dalim ballëhapur përpara historisë. Si një popull i lirë, zot i tokës tonë, i barabartë dhe i dinjitetshëm karshi gjithë popujve të tjerë të botës.
Ali Ibër Nezaj është udhëheqës popullor, një nga prijësit e gjithë Malësisë së Gjakovës që organizoi dhe e mblodhi popullin për ta bërë Shqipërinë, për të ruajtur paprekshmërinë e trojeve tona, për t’i kundërshtuar pazaret mbi kurrizin e popullit tonë.
Ali Ibra nuk blihej me tituj e grada. Ai gjithmonë mbeti mbrojtës i interesave të mirëfillta të popullit, duke respektuar plotësisht tolerancën fetare dhe diversitetin kulturor të vendit. Mbronte të vegjlit dhe mbante drejtësi.
Nami i tij mbetet i gjallë deri në ditët tona. Si udhërrëfyes përparimi dhe krenarie.
Ndihem e nderuar që marrë pjesë në këtë manifestim historik, jam e nderuar qe si bijë e kësaj ane që së bashku të lartësojmë këtë shtatore, që të vazhdojmë traditën atdhetare të të parëve tanë.
Urime familje Nezaj, Urime popull i Gjakovës, Urime Kosovë, Urime Shqipëri.
Qofshim gjithmonë!