DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

DR. VJOSA OSMANI – SADRIU

Presidente e Republikës së Kosovës

Dr. Vjosa Osmani-Sadriu lindi më 17 maj 1982 në Mitrovicë, Republikë e Kosovës. Shkollimin fillor dhe të mesëm i ka mbaruar në Mitrovicë. Ka mbaruar Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Prishtinës, ndërsa studimet Master dhe studimet e Doktoraturës i ka mbaruar në Universitetin e Pittsburgh-ut në Pensilvani, ShBA.

Është zgjedhur deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës në pesë mandate. Në zgjedhjet e fundit ishte kandidate për Presidente.

Në mandatet e kaluara ka udhëhequr Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme, Komisionin për Integrime Europiane dhe ka qenë Nënkryetare e Komisionit për Reformë Kushtetuese.

Më 3 shkurt 2020, Vjosa Osmani u zgjodh Kryetarja e parë grua e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Me 5 nëntor 2020, Vjosa Osmani është bërë u.d. Presidente e Republikës së Kosovës, pozita që i ka mbajtur deri me 22 mars 2021.

Gjatë viteve 2006-2010, Vjosa Osmani ka shërbyer si Shefe e Stafit e Presidentit të Kosovës dhe Këshilltare e Lartë për çështje Ligjore dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare. Ajo ka përfaqësuar Presidentin në Komisionin për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ka qenë anëtare e ekipit përfaqësues të Republikës së Kosovës në rastin para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Që nga viti 2006 ka ligjëruar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa si profesor vizitor ka ligjëruar edhe në Universitetin e Pitsburgut në ShBA. Për disa vite ka ligjëruar edhe në RIT – Kosovo (AUK), Kolegjin AAB – Riinvest si dhe ka mbajtur ligjerata tematike në universitete të tjera në Evropë e në SHBA.

Nga Universiteti i Pitsburgut është nderuar me cmimin “Sheth International Award”. Është anëtare e Bordit të Rrjetit Parlamentar të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe anëtare në Komisionin Drejtues të Deputetëve të rinj të Bankës Botërore dhe FMN-së.

Flet gjuhën angleze, turke, serbe, kroate dhe komunikon në spanjisht. Është e martuar me Prindon Sadriun me të cilin kanë dy vajza binjake, Anda Elisa Sadriu dhe Dua Tiara Sadriu. Jeton në Prishtinë.

Me datën 4 prill merr detyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.