Përshëndetje për të gjithë,
Gëzuar Dita e Forcës! Gëzuar Dita e Ushtrisë sonë!
Sot është një ditë krenarie për të gjithë popullin e Kosovës. Është ditë krenarie, sepse ushtria jonë e sotme është pasardhëse e denjë e krenare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e djemve e vajzave të cilët vunë themelet e lirisë sonë. Kurse sot këta djem e vajza që i shihni na bëjnë krenarë jo vetëm brenda vendit, por edhe kudo që ata shërbejnë: në akademi nëpër vende të ndryshme të botës, ku studiojnë tek shtetet aleate, por po ashtu edhe në operacione për paqe e stabilitet në vende të ndryshme të botës, ku ata shërbejnë krah për krah me aleatët tanë.
Ushtria jonë çdo ditë po forcohet. Ushtria jonë çdo ditë po bëhet më operacionale, më ndërvepruese dhe më profesionale.
Edhe, natyrisht që në radhët e ushtrisë sonë çdo ditë po shtohen edhe djem e vajza të tjerë, të cilët duan t’i shërbejnë atdheut. Jemi jashtëzakonisht krenarë me punën e tyre, ata janë garanca më e fuqishme së bashku me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera të sigurisë, për sovranitetin tonë, për integritetin tonë territorial, për mbrojtjen e shtetësisë sonë dhe për mbrojtjen e çdo qytetari të Republikës së Kosovës.
E falënderoj Komandantin për lidershipin, natyrisht edhe Ministrin për punën e jashtëzakonshme dhe së bashku do të ecim përpara për ta bërë ushtrinë tonë edhe më të fortë çdo ditë në mbrojtje të shtetit tonë, i cili është ndërtuar me shumë sakrificë.
Urime të gjithëve edhe njëherë Dita e Forcës!
