presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Deklaratë për media e Presidentes Jahjaga pas themelimit të Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit

Pas themelimit të Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit, Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga dha një deklaratë për media, të cilën po e sjellim të plotë në vijim:

Të nderuar gazetarë, Ashtu siç e kam thënë në fjalimin tim vjetor presidencial adresuar kombit, sot patëm mbledhjen e parë të Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit. Si jeni të njoftuar, unë Presidentja e vendit, kam dekretuar themelimin e këtij Këshilli. Siç e dini, në kompetencat e mia kushtetuese është të nxjerr dekrete me të cilat në kuadër të funksionimit demokratik të institucioneve, rregulloj fusha të caktuara të jetës dhe të punës. E dini gjithashtu se dekreti ka fuqinë ligjore për periudhën sa është në fuqi, dhe është obligativ për të gjitha institucionet subjekte të këtij dekreti. Dekreti do të shfuqizohet në momentin që konsideroj që janë arritur efektet e mjaftueshme. Dhe se vendi ynë nuk do të ketë më nevojë për ekzistencën e Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit pranë presidentes. Këshilli është një trup koordinues i përkohshëm, i përbërë nga titullarët e institucioneve që në një formë apo tjetër janë të ndërlidhur me luftën kundër korrupsionit. Gjithashtu e dini, se në të gjitha Raportet ndërkombëtare zyrtare dhe të organizatave të tjera ndërkombëtare, Kosova përflitet si vend me shkallë të lartë të korrupsionit. Edhe hulumtimet brenda vendit gjithashtu tregojnë percepcionin dhe përshtypjen se në vend ka korrupsion. Pa marr parasysh a është ky vetëm një percepcion apo një opinion i krijuar apo është një realitet, unë konsideroj se ne, institucionet e Republikës së Kosovës, dhe mbarë shoqëria, duhet të angazhohemi që ta ç’rrënjosim plotësisht këtë dukuri tejet të dëmshme si është korrupsioni që pengon gjitha proceset zhvillimore të shoqërisë dhe proceset e integrimit Euroatlantik të vendit. Mbledhja e sotme është vetëm njoftuese, në të cilën anëtarët u njoftuan me Dekretin dhe rregullat e procedurës. Në fillim takimet do të jenë mujore apo sipas rastit kur unë e shoh të arsyeshme dhe në këto mbledhje do të bisedojmë konkretisht për dukuritë dhe për ndërtimin e masave në kuadër të Strategjisë Kombëtare Kundër-Korrupsion. Institucionet në kuadër të kompetencave ligjore dhe fushëveprimit të tyre do të raportojnë për gjendjen dhe do të paraqesin pengesat që ngadalësojnë ose pamundësojnë luftën efikase të shtetit tonë kundër korrupsionit.  Në këtë bazë, unë si presidente e vendit do të rekomandoj masat për zgjidhjen dhe tejkalimin e gjendjes. Në këtë gjithsesi do t’i kem parasysh sugjerimet që secili titullar i paraqet dhe i propozon. Ne sot patëm njoftim të përgjithshëm, u pajtuam për takimin e radhës dhe për nismat konkrete. Këtë këshill të gjithë do ta shfrytëzojmë për të shkëmbyer pikëpamjet, për t’u njohur me punën dhe angazhimin e ndërsjellë, për të dhënë raportet dhe për t’u koordinuar në punën e veprimtarinë e të gjitha institucioneve, në mënyrë që lufta kundër korrupsionit të jetë e rezultatshme. Këshilli do të bënë raporte tremujore dhe ato do të jenë publike në mënyrë që aktiviteti jonë të jetë i matshëm dhe opinioni të ketë pasqyrën e qartë për efektshmërinë e luftimit të kësaj dukurie.

This site is registered on wpml.org as a development site.