presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Deklaratë e Zyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës pas arrestimit të dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës

Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës dënon arrestimin e dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga Policia e Republikës së Serbisë, në vendkalimin kufitar ndërmjet dy vendeve në Merdare, dhe e cilëson akt të papranueshëm dhe sulm mbi institucionin profesional policor.

Arrestimi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, në detyrë, është sulm mbi integritetin institucional e territorial të Republikës së Kosovës. Arrestimet e shpeshtuara të qytetarëve të Republikës së Kosovës, nga autoritetet e Republikës së Serbisë, nuk kontribuojnë në vendosjen e marrëdhënieve të mira ndërmjet dy vendeve.

Shkelja e të drejtave të njeriut të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe posaçërisht cenimi i integritetit të institucioneve profesionale të Republikës së Kosovës, është akt i dënueshëm dhe i patolerueshëm.

Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës kërkon nga autoritetet e Republikës së Serbisë që të heqin dorë nga këto provokime dhe veprime arbitrare ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe institucioneve të saj dhe të lirojnë të gjithë ata që janë arrestuar pa arsye.

Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës kërkon nga Republika e Serbisë që të respektojë marrëveshjet e arritura me Republikën e Kosovës në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe t’i zbatojë ato pa vonesë.

Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës i bën thirrje autoriteteve ndërkombëtare që të kërkojnë nga Republika e Serbisë, që të respektojë integritetin territorial dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe të respektojë ligjet e normat ndërkombëtare për kufijtë ndërshtetëror dhe ndërkombëtarë.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.