DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Deklaratë e Presidenti Sejdiu me rastin e shtatëvjetorit të sulmeve terroriste të 11 shtatorit

Me rastin e shtatëvjetorit të sulmeve terroriste ndaj Kullave Binjake në Nju-Jork dhe ndaj Pentagonit në Uashtington, Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, dha këtë deklaratë:

Shtatë vjet më parë, më 11 shtator 2001, bota e civilizuar dhe demokratike u trondit rëndë nga sulmet terroriste mbi Qendrën Tregtare Botërore në Nju-Jork dhe mbi Pentagon në Uashtington. Pamjet e llahtarshme të goditjeve me aeroplanët e rrëmbyer të Kullave Binjake, dhe njerëzit e pafajshëm që kërkonin ndihmë, forcuan vetëdijen e të gjitha forcave përparimtare kudo në botë se rreziku nga terrorizmi është kërcënimi më serioz ndaj shoqërisë së sotme njerëzore dhe se askush nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj këtij kërcënimi. Duke qenë shpirtërisht afër me familjet e viktimave dhe me mbarë popullin dhe institucionet amerikane, edhe në këtë përvjetor, ne shprehim solidarititin e plotë me shtetin mik, SHBA-të.Institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës ndiejnë dhembjen dhe nderimin e thellë për të gjitha viktimat e atij sulmi të shëmtuar, i cili dëshmoi se nxitësit dhe ekzekutuesit e krimit nuk kanë asnjë ideal dhe as më të voglin respekt për jetën njerëzore. Republika e Kosovës, me këtë rast, thekson mirënjohjen dhe falënderimin e përhershëm për popullin dhe Qeverinë Amerikane, që e ndihmuan Kosovën në çastet më vendimtare të historisë së saj dhe po e ndihmojnë edhe sot në forcimin e pavarësisë dhe të sovranitetit shtetëror.

This site is registered on wpml.org as a development site.