Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Catherine Ashton i ka shkruar një letër Presidentes së Republikës së Kosovës, zonjës Atifete Jahjaga, me të cilën e njofton për vendimin për dërgimin e një misioni vëzhgues për zgjedhjet e 8 qershorit në vendin tonë.
Në letër thuhet: E nderuara Presidente, Ju falënderoj për ftesën tuaj të datës 8 Maj për të vëzhguar zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë të 8 Qershorit. Besoj se dërgimi i Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve të vitit 2013 ka kontribuuar për një proces transparent dhe gjithëpërfshirës zgjedhor. Pas konsultimeve me Vendet Anëtare dhe me Parlamentin Evropian, kam kënaqësinë t’ju informoj se do të dërgojmë një Mision Vëzhgues të BE-së të Zgjedhjeve. Gjithashtu, shpreh kënaqësinë që t’ju informoj se kam emëruar Deputetin e Parlamentit Evropian, Roberto Gualtieri, si udhëheqës të Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve, detyrë të cilën e ka kryer edhe gjatë zgjedhjeve komunale vitin e kaluar. Kam besim se misioni do të kontribuojë në një proces transparent dhe kam udhëzuar stafin tim që të jetë në kontakt me autoritetet përgjegjëse, me qëllim të diskutimit të të gjitha aspekteve teknike përpara dërgimit të Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve.