Vetë emërtimi Avokati i Popullit shpreh misionin e këtij institucioni. Ai është zëri i qytetarëve dhe mbrojtësi i të drejtave dhe lirive të tyre.
Në një shtet demokratik, të drejtat e njeriut nuk mjafton vetëm të garantohen me ligj. Ato duhet të mbrohen në çdo rrethanë. Çdo qytetar duhet ta dijë se, kur i shkelen të drejtat, ka një institucion ku mund të drejtohet.
Pikërisht këtë rol e ka Institucioni i Avokatit të Popullit, i themeluar 26 vjet më parë. Si institucion i pavarur, ai mbron qytetarët nga shkeljet e të drejtave të njeriut dhe nga veprimet e paligjshme të autoriteteve publike.
Në këtë drejtim, rekomandimet e Avokatit të Popullit kanë rëndësi të veçantë. Ato janë thirrje për veprim, përgjegjësi dhe përmirësim. Vlera e tyre matet me zbatimin dhe me ndryshimet konkrete që sjellin në jetën e qytetarëve.
Zbatimi i tyre ndihmon në ndërtimin e besimit të qytetarëve në institucione dhe në forcimin e sundimit të ligjit. Ngase shteti dëshmohet, mbi të gjitha, me mënyrën se si i trajton dhe i mbron qytetarët e tij.
Forcimi i pavarësisë dhe i rolit të Avokatit të Popullit është thelbësor për demokracinë dhe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Çdo qytetar ka të drejtë të ndihet i mbrojtur. Për këtë ekziston Avokati i Popullit.
Por synimi ynë duhet të jetë që çdo qytetar t’i gëzojë të drejtat e tij pa pasur nevojë të kërkojë mbrojtjen e tyre. Institucionet duhet të funksionojnë me përgjegjësi, në mënyrë që sa më pak qytetarë të kenë nevojë t’i drejtohen Avokatit të Popullit.
Ju faleminderit!
