...

Fjalimi i Presidentes Shiroka Pula në Konferencën Rajonale për Gratë Ndërmarrëse

Është kënaqësi të jem sot me ju, në këtë konferencë që bashkon gra ndërmarrëse nga Kosova, rajoni dhe diaspora.

Kjo është një mundësi për të prezantuar punën tuaj, për t`i shkëmbyer përvojat dhe për të krijuar mundësi të reja.

Fuqizimi ekonomik i grave është çështje e barazisë, por edhe e zhvillimit ekonomik. Kur gratë kanë mundësi të zhvillojnë bizneset e tyre, përfiton e gjithë shoqëria. Krijohen vende pune, rritet konkurrenca dhe forcohet ekonomia.

Megjithatë, gratë ende përballen me pengesa në qasjen në financim, tregje dhe rrjete biznesi. Prandaj, duhet të krijojmë kushte që ato jo vetëm të hapin biznese, por edhe t’i zhvillojnë dhe t’i zgjerojnë ato.

Kjo çështje ka edhe një domethënie personale për mua. Në fillim të viteve 2000, isha pjesë e grupit punues për Integrimin e Grave në Ekonomi, gjatë hartimit të Planit të Veprimit të Kosovës për Arritjen e Barazisë Gjinore. Plani u miratua në vitin 2004.

Prej atëherë, bindja ime mbetet e njëjtë. Barazia gjinore merr kuptim kur shndërrohet në mundësi konkrete për gratë.

Kosova ka shënuar hapa përpara. Mbi 12 mijë gra kanë përfituar nga programet e mbështetjes së punësimit. Por duhet të bëjmë më shumë.

Qasja në kredi mbetet një nga sfidat kryesore. Bankat dhe institucionet financiare duhet të shqyrtojnë kritere më fleksibile të kreditimit. Një biznes duhet të vlerësohet edhe për idenë, planin dhe potencialin e tij, jo vetëm për pronën që mund të ofrojë si garanci.

Po ashtu, shërbimet e kujdesit për fëmijët janë thelbësore. Gratë në Kosovë kalojnë mesatarisht 6.2 orë në ditë duke kryer punë pa pagesë. Kjo barrë ua kufizon kohën për punësim dhe zhvillim të bizneseve. Investimi në këto shërbime është investim në pavarësinë ekonomike të grave.

Kjo Konferencë, krijon mundësi për bashkëpunim, takime biznesore dhe qasje në tregje të reja. Shpresoj që këto takime të sjellin partneritet konkret dhe rezultate afatgjata.

Fuqizimi ekonomik i grave është përgjegjësi e përbashkët e institucioneve, sektorit financiar, bizneseve dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Gratë ndërmarrëse kanë idetë, aftësitë dhe vullnetin për të pasur sukses. Detyra jonë është t’u sigurojmë mundësi të barabarta për ta realizuar potencialin e tyre.

Të dashura gra dhe vajza ju dëshiroj shumë sukses në ide, në kreativitet, në investime dhe në rezultate konkrete.

Ju faleminderit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.