...

U.D. Presidentja Haxhiu: Familjet meritojnë të vërtetën, ndërsa për krimet e luftës duhet të ketë drejtësi

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë sot në Mbledhjen Komemorative për Adem Beqirin, Idriz Rrecajn dhe Salih Mëziun.

Në fjalën e saj, U.D. Presidentja Haxhiu tha se pas 27 vjetësh kërkimi, familjet e tyre më në fund morën përgjigje për fatin e më të dashurve të tyre, të cilët tashmë do të prehen në paqe.

“Më 19 prill 1999, forcat serbe rrëmbyen 23 civilë shqiptarë nga Skenderaj dhe Mitrovica, të njohur si “Grupi i Intelektualëve”. Ata u ndaluan në Melajë, në Kalludër të Vogël, u keqtrajtuan, u ekzekutuan dhe trupat e tyre u fshehën për të zhdukur gjurmët e krimit”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu.

Ajo më tej tha se gërmimet në Kalludër dhe Jabukë, bashkë me analizat e ADN-së, konfirmuan identitetin e Idriz Rrecajt, Adem Beqirit dhe Salih Mëziut.

“U gjetën në varre pa emër, por tani do të prehen me emrat e tyre dhe familjet do të kenë një vend ku t’i kujtojnë e t’i nderojnë. Mirënjohje të gjithë atyre që punuan me përkushtim për gjetjen dhe identifikimin e tyre. Kërkimi duhet të vazhdojë për 20 anëtarët e tjerë të grupit dhe për çdo person të zhdukur me dhunë. Familjet meritojnë të vërtetën, ndërsa për krimet e luftës duhet të ketë drejtësi”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu.

Familjeve Beqiri, Rrecaj dhe Mëziu, U.D. Presidentja iu ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta.

“I përjetshëm qoftë kujtimi i Adem Beqirit, Idriz Rrecajt dhe Salih Mëziut, si dhe i të gjithë të rënëve dhe të vrarëve për lirinë e Kosovës!”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.

This site is registered on wpml.org as a development site.