...

U.D. Presidentja Haxhiu: I bëj thirrje edhe sot çdo gruaje që kontrollin mos ta shtyjë për nesër

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë bërë shpërndarjen e pakove onkologjike, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, “Tetori Rozë”.

Me këtë rast, U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se në kuadër të Tetorit Rozë, pra muajit që ka për qëllim ndërgjegjësimin nga kanceri i gjirit, ishim bashkë për të vizituar gratë, të cilat po përballen me këtë sëmundje për t’ju treguar që jemi pranë tyre me qëllim të adresimit të sfidave, por edhe kërkesave që kanë dhe sidomos jemi pranë tyre në një periudhë jo të lehtë të jetës së tyre.

“Me këtë rast, sot shpërndamë edhe pako për nevojat që ato i kanë, si shenjë solidariteti, por edhe mbështetjeje institucionale. Unë dua që ta shfrytëzoj rastin edhe sot që të theksoj që shëndeti i vajzave dhe grave në Republikën e Kosovës është shumë i rëndësishëm. Prandaj, i bëj thirrje edhe sot çdo gruaje që kontrollin mos ta shtyjë për nesër, pra që menjëherë t’i bëjnë kontrollet. Mamografia është falas siç e dini, e po ashtu kërkoj nga familjet e personave që preken nga kanceri i gjirit që t’i mbështesin ata, sepse siç e përmenda shëndeti i tyre është shumë i rëndësishëm edhe për shoqërinë tonë, por po ashtu edhe për institucionet e Republikës së Kosovës”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu.

Ajo më tej tha se janë bërë investime gjatë viteve të fundit.

“Ne kemi hapur dje në Kuvendin e Republikës së Kosovës fushatën për ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit, pikërisht në vendin ku edhe adresohen ligjet, por edhe ndahet buxheti për institucionet në Republikën e Kosovës”, theksoi U.D. Presidentja.

Ajo ka falënderuar klinikën e Onkologjisë, gjegjësisht drejtorin dhe gjithë stafin, mjekët, infermierët dhe gjithë të tjerët që po iu qëndrojnë pranë pacientëve në momentet e vështira të jetës së tyre.

“Grave që po përballen me këtë sëmundje iu uroj shëndet të plotë dhe jetë të gjatë dhe iu them atyre: forca. Institucionet dhe shoqëria janë me to në këto momente shumë të vështira. Sigurisht që, shumë prej tyre janë sot këtu, ne tashmë i takuam disa prej tyre dhe do të kemi mundësinë që edhe pas kësaj konference të takohemi me tjerat por është e jashtëzakonshme forca e tyre dhe energjia që ato përçojnë tek ne”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.