Nën patronatin e Ushtrueses së Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, sot u hap fushata “Tetori Rozë”, me rastin e fillimit të muajit për ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit, ku të pranishëm ishin U.D. Presidentja Albulena Haxhiu, kryeministri Albin Kurti, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Në fjalën e saj para të pranishmëve, U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se sëmundja e kancerit mbetet një nga sfidat më të mëdha të shëndetësisë dhe një nga sprovat më të rënda në jetën e njeriut.
Ajo tha se shumë prej nesh e njohin këtë përvojë përmes dikujt të dashur, ngase sapo një familjar të diagnostikohet kjo sëmundje bëhet brengë e një shtëpie të tërë, duke shtuar më tej se bisedat ndryshojnë, planet lihen për më vonë dhe të afërmit mësohen ta matin kohën nga një kontroll te tjetri.
“Shumë prej jush e dini çfarë do të thotë të presësh një përgjigje, t’i nënshtrohesh trajtimit dhe të kërkosh brenda vetes durimin për ta përballuar edhe një ditë të vështirë. Fushatën “Tetori Rozë” po e hapim këtë vit, pikërisht këtu në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në këtë shtëpi miratohen ligjet dhe ndahet paraja publike. Këtu na takon që nevojave të grave t’u japim vendin që meritojnë dhe të sigurojmë mjetet për kujdesin që u duhet”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo tutje theksoi se vitin e kaluar, në Kosovë janë raportuar 601 raste të reja të kancerit të gjirit, secili rast ka hyrë në jetën e dikujt që deri atëherë kishte shqetësime të tjera, në punë, në shtëpi, punë të pambaruara e plane për të ardhmen, papritur, shumëçka është dashur të presë.
“Gjatë këtyre viteve janë bërë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim. Që nga viti 2023, mamografia ofrohet pa pagesë në shëndetësinë publike. Po nga ai vit, edhe rikonstruksioni i gjirit ofrohet pa kosto dhe pa listë pritjeje. Në vitin 2024 është siguruar aparatura Sentinel, e cila ndihmon në identifikimin e nyjeve limfatike që duhen vlerësuar dhe mundëson, në rastet e përshtatshme, shmangien e ndërhyrjeve më të gjera në to. Ndërkohë, buxheti për barnat onkologjike është rritur nga 8 milionë në 22 milionë euro. Tani, kësaj pune po i shtohet Plani i Veprimit për Skriningun e Kancerit të Gjirit, i hartuar për herë të parë nga Ministria e Shëndetësisë, me përfshirjen e të tri niveleve të kujdesit shëndetësor. Në kuadër të tij parashihet funksionalizimi i kabineteve radiologjike nëpër komuna, bashkë me tetë mamografë të rinj statikë digjitalë”, pohoi U.D. Presidentja Haxhiu.
E kjo spas saj, do ta afrojë shërbimin te gratë, për një grua që jeton larg qendrës, një kontroll mund të kërkojë një ditë të tërë udhëtimi, shpenzime dhe dikë që t’ia marrë përsipër detyrimet në shtëpi, duke shtuar më tej se këto pengesa shpesh mbeten jashtë diskutimeve tona, ndonëse ndikojnë drejtpërdrejt në vendimin e gruas për të kërkuar ndihmë.
“Shumë gra janë mësuar t’i lënë nevojat e veta për më vonë, për shkak të kujdesit për fëmijët, për prindërit e moshuar, për punën e për shtëpinë dhe presin të gjejnë pak kohë edhe për veten. Shpesh, këtë vetëmohim e kemi quajtur virtyt, pa pyetur sa shtrenjtë u kushton vetë grave. Shëndeti i gruas meriton vend në jetën e përditshme të familjes. Secili prej nesh mund t’ia lehtësojë barrën, që ajo të ketë kohën dhe mundësinë për të kërkuar kujdes. Gruaja ka të drejtë të kujdeset për veten pa u ndier fajtore për punët që atë ditë mbeten pa u kryer”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu ka falënderuar ato që kanë përjetuar këtë sëmundje për praninë dhe besimin që na japin duke ndarë përvojën e tyre
“E dimë se pas fjalës “forcë” ka edhe ditë rraskapitjeje, frike e pasigurie. Ju keni të drejtë ta shprehni edhe lodhjen, ta kërkoni ndihmën dhe ta merrni atë. Nuk ju takon juve t’ua lehtësoni të tjerëve peshën e së vërtetës suaj. Përvoja juaj duhet të dëgjohet edhe kur hartohen politikat shëndetësore. Bashkë me profesionistët shëndetësorë dhe organizatat që ju kanë qëndruar pranë, mund të na ndihmoni të kuptojmë ku ende po vonohet kujdesi dhe çfarë duhet të bëjmë më tepër”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo tutje tha se sot kujtojmë me dhembje edhe gratë që i kemi humbur, familjeve të tyre u shprehim respektin dhe ngushëllimin tonë, duke vijuar më tej se kujtimi i tyre na ngarkon me përgjegjësinë për të bërë gjithçka që është në dorën tonë për gratë që sot kanë nevojë për trajtim.
“Kur të mbarojë tetori e të hiqen shiritat rozë, dikush do të jetë ende duke pritur një përgjigje e dikush do ta ketë ditën e parë të trajtimit. Kujdesi dhe përkushtimi ynë duhet të vazhdojnë për aq kohë sa ato kanë nevojë. Le të punojmë që secila grua, kur të trokasë në derën e një institucioni shëndetësor, ta gjejë aty shtetin për të cilin flasim sot. Kur të hyjë në spital, ajo do të ketë mjaft brenga me vete. Le të gjejë aty njerëz dhe shërbime që ia lehtësojnë barrën. Le ta ndiejë në atë kujdes gjithë përkushtimin që shprehim sot”, ka pohuar U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo ka falënderuar edhe stafin shëndetësor të Onkologjisë për punën e madhe në këtë drejtim.

















