...

U.D. Presidentja Haxhiu mori pjesë në ditën përmbyllëse të “Javës së Gruas”

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë sot në ditën përmbyllëse të “Javës së Gruas”, që organizohet nga NDI.

Në fjalën e saj para të pranishmëve, U.D. Presidentja Haxhiu ka falënderuar Institutin Kombëtar Demokratik për punën e tij në Republikën e Kosovës, por poashtu edhe për këtë program të rëndësishëm, ku prej vitesh gra dhe burra nga institucionet, partitë politike, komunat, shoqëria civile, media dhe komunitete të ndryshme takohen, debatojnë por edhe punojnë bashkë, si dhe Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, Misionin e OSBE-së në Kosovë dhe Ambasadën e Kanadasë për mbështetjen e kësaj nisme.

Ajo ka thënë se tema e këtij viti, “Fuqia në Partneritet: Nga dialogu në veprim”, e lidh barazinë gjinore me cilësinë e demokracisë sonë, duke shtuar tutje se një shoqëri demokratike i dëgjon zërat e të gjithëve dhe u jep atyre hapësirë të ndikojnë në vendimet që merren.

“Por barazia nuk matet vetëm me numrin e grave që janë të pranishme në një sallë, në një listë zgjedhore apo në një institucion. Por, para së gjithash dhe mbi të gjitha ajo matet me fuqinë që kanë për të udhëhequr, për të vendosur dhe për ta ndryshuar apo për të ndikuar drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.

Sipas saj, dialogu ka vlerë kur sjell ndryshim, e kjo ndodh kur shqetësimi i qytetarëve bëhet vendim dhe merr mjete në buxhet, dhe kur e drejta e shkruar në ligj zbatohet në jetën e përditshme.

U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se për këtë arsye, bashkëpunimi ndërmjet institucioneve qendrore dhe komunave ka rëndësi të madhe.

Ajo tha se qytetarët nuk duhet të humbasin kohë duke kuptuar se cili institucion e ka përgjegjësinë, ata presin që institucionet të bashkëpunojnë dhe ta zgjidhin problemin që kanë.

“Kjo vlen sidomos për gratë. Sipërmarrësja që do ta zgjerojë biznesin ka punë njëkohësisht me komunën por po ashtu edhe me institucionet qendrore, po ashtu edhe anëtarja e kuvendit komunal që do ta çojë një nismë të saj deri në zbatim. Prandaj, përvoja e grave duhet të merret parasysh që në fillim, kur hartohen ligjet, buxhetet dhe shërbimet publike, e jo të shtohet në fund. Kur gratë marrin pjesë në vendimmarrje, institucionet e shohin më qartë realitetin me të cilin merren. Pozita e gruas në shoqëri ndryshon ngadalë, sepse ajo formohet njëkohësisht në shkollë, në vendin e punës dhe në jetën publike. Kur ndryshon vetëm njëra prej tyre, të tjerat shpesh e mbajnë gruan aty ku ishte”, është shprehur U.D. Presidentja Haxhiu.

Më tej, U.D. Presidentja Haxhiu tha se vajzat i mbarojnë shkollat dhe fakultetet me sukses, gratë hapin dhe udhëheqin biznese, dhe shkollat e qendrat tona shëndetësore funksionojnë në masë të madhe pikërisht falë punës së tyre të jashtëzakonshme.

“Megjithatë, sa më lart që shkojmë në institucione dhe në kompani, aq më rrallë i gjejmë emrat e tyre në krye. Kuota gjinore i ka sjellë gratë në kuvendet komunale por edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës, por ne vazhdojmë të kemi probleme sepse nuk i shohim gratë në krye të listave zgjedhore, e as kandidate për kryetare të komunave”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu.

Ajo më tej tha se medaljet e arta olimpike për Kosovën të parat i fituan Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, Donjeta Sadiku fitoi medaljen e artë në Lojërat Mesdhetare që u mbajtën rishtazi në Taranto, duke shtuar tutje se vajzat që sot nisin sportin kanë para vetes shembuj që brezat e mëparshëm nuk i kishin.

“Këta shembuj tregojnë se talenti dhe aftësia ekzistojnë. Pyetja është nëse institucionet, partitë dhe shoqëria jonë u japin grave po aq mundësi për ta dëshmuar atë talent edhe në politikë, në ekonomi dhe në përgjithësi në jetën publike. Barazia kërkon kohë, por edhe vendime. Përgjegjësia jonë, e institucioneve dhe e partive politike, është që gratë të kenë të njëjtat mundësi si burrat. Për partitë, kjo do të thotë më shumë gra në krye të listave dhe në garat për funksione publike. Vendimet që marrim sot duhet ta shkurtojnë këtë kohë”, pohoi U.D. Presidentja Haxhiu.

U.D. Presidentja Haxhiu më tej tha se duhet të flasim edhe për sigurinë e grave në jetën publike.

“Gratë në politikë, në gazetari dhe në shoqërinë civile bëhen shpesh shenjë sulmesh në rrjetet sociale. Sulmohen për gjininë, për pamjen, për familjen e tyre, për jetën private, e jo për punën apo për qëndrimet që mbajnë. Një shoqëri, një demokraci nuk mund të jetë plotësisht e lirë nëse një pjesë e qytetarëve të saj paguan çmim më të lartë kur flet publikisht. Asnjë grua nuk duhet të detyrohet të zgjedhë mes pjesëmarrjes në jetën publike dhe sigurisë apo dinjitetit dhe integritetit të saj”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu.

Ajo tha se institucionet kanë për detyrë t’i mbrojnë këto gra, që ta vazhdojnë punën e tyre pa asnjë frikë, dhe standardi duhet të jetë i njëjtë për të gjitha.

“Partitë politike, mediat dhe secili prej nesh kemi përgjegjësi që gjuha e urrejtjes dhe frikësimi i grave e vajzave në jetën publike të mos bëhen si diçka e zakonshme. Prandaj, ju ftoj që të bashkëpunojmë në këtë drejtim, por edhe të solidarizohemi dhe ta mbështesim njëra-tjetrën, sepse reagimi ndaj kërcënimit dhe dhunës kurrë nuk duhet të varet nga emri, partia apo profesioni i gruas që sulmohet. Standardi duhet të jetë i njëjtë për të gjithë”, vijoi më tej U.D. Presidentja Haxhiu.

U.D. Presidentja Haxhiu tha se “Java e Gruas” bashkon gra dhe burra nga parti, komuna dhe komunitete të ndryshme.

Ajo më tej tha se në demokraci nuk mund të pajtohemi për gjithçka, dhe unë e shoh këtë si normale, por për çështjet që prekin jetën dhe dinjitetin e qytetarëve duhet të dimë që duhet të punojmë bashkë.

“Pra, siç e përmenda gruaja që udhëheq një biznes, një shkollë apo një institucion kërkon nga institucionet rregulla të qarta dhe trajtim të barabartë, pavarësisht ndarjeve tona politike apo dallimeve politike, por edhe dallimeve gjinore, etnike. Institucionet janë aty për t’u shërbyer të gjithave njësoj. Gjatë këtij viti, Java e Gruas ka zhvilluar debate dhe ka hartuar rekomandime nga përvojat e grave dhe të komuniteteve. Suksesi i saj do të matet me atë se sa prej këtyre rekomandimeve do të kthehen në vendime konkrete në kuvendet komunale, por po ashtu edhe në institucionet tjera përgjegjëse, sa do të marrin mbështetje buxhetore dhe sa do ta ndryshojë realiteti jashtë, pra që ndikon drejtpërdrejt në jetën e vajzave dhe grave në Republikën e Kosovës. Llogaridhënia fillon kur tregojmë çfarë kemi bërë me besimin që na kanë dhënë qytetarët”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, U.D. Presidentja Haxhiu tha se prania juaj sot ka rëndësi, por edhe më shumë rëndësi ka ajo që do të bëni pasi që do të dalim të gjitha nga kjo sallë.

“Merrni hapësirën që ju takon, ngrini zërin dhe përfshihuni aty ku merren vendimet në institucionet publike, qoftë në nivelin lokal, qoftë në nivelin qëndror, por po ashtu në komunitet, në profesionin tuaj dhe kudo ku mund të ndikoni drejtpërdrejt. Dhe kur të ecni përpara, është shumë e rëndësishme hapni rrugë edhe për gra të tjera që të ecin bashkë me ju”, shtoi U.D. Presidentja Haxhiu.

Ajo tha se barazia është përgjegjësi edhe e burrave në pozita udhëheqëse.

“Gratë duhet të kenë pjesën e tyre të barabartë në vendimmarrje, dhe nga dialogu në veprim duhet të mbetet mënyra si punojnë institucionet tona edhe pas kësaj jave”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.