...

U.D. Presidentja Haxhiu: Kushtetuta e Kaçanikut ishte përgjigjja e një populli që nuk pranonte të hiqte dorë nga e drejta për të vendosur vetë për fatin e tij

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se më 7 shtator 1990, në rrethana të rënda represioni dhe përndjekjeje politike, delegatët e Kuvendit të Kosovës u mblodhën në Kaçanik dhe miratuan Kushtetutën e Kaçanikut, duke i dhënë bazë kushtetuese vullnetit të shprehur më 2 korrik për Kosovën Republikë.

“Teksa Serbia po rrënonte autonominë e Kosovës, po shuante institucionet e saj dhe po përpiqej ta nënshtronte me dhunë vullnetin politik të qytetarëve, Kushtetuta e Kaçanikut ishte përgjigjja e një populli që nuk pranonte të hiqte dorë nga e drejta për të vendosur vetë për fatin e tij. Pikërisht për këtë, rëndësia e saj shkon përtej tekstit juridik që u miratua atë ditë. Ajo dëshmon se edhe në kushtet e pushtimit dhe të represionit, Kosova kishte njerëzit, dijen dhe vullnetin për t’i dhënë formë juridike përcaktimit të saj politik”, ka thënën U.D. Presidentja Haxhiu.

Ajo më tej ka shtuar se në hartimin e saj qëndron puna e juristëve që, në kushte të jashtëzakonshme, ndërtuan një rend kushtetues mbi vullnetin e qytetarëve të Kosovës, ndërsa në votën e delegatëve qëndron guximi i një brezi që mori mbi vete përgjegjësinë për t’i dhënë kërkesës për Republikë formën e një akti kushtetues.

“Rruga që nisi me Deklaratën e 2 korrikut dhe mori trajtë kushtetuese më 7 shtator vazhdoi përmes rezistencës së qytetarëve të Kosovës, luftës çlirimtare dhe sakrificës së shumë brezave, deri te çlirimi i vendit dhe shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.

U.D. Presidentja Haxhiu më tej ka thënë se sot, në përvjetorin e Kushtetutës së Kaçanikut, nderojmë hartuesit e saj, delegatët që e miratuan dhe të gjithë ata që në vitet më të vështira e mbajtën të gjallë kërkesën për Republikë.

“Ajo që më 7 shtator 1990 mori formë kushtetuese ishte një përcaktim politik që historia e Kosovës do ta çonte përpara deri në pavarësi dhe shtetësi”, ka theksuar U.D Presidentja Haxhiu.

This site is registered on wpml.org as a development site.