Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë sonte në hapjen e festivalit “Green Fest”, në Mitrovicë.
Në fjalën e saj para të pranishmëve, U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë: “Më vjen mirë që sonte jam me ju këtu në Green Fest, pikërisht këtu në Mitrovicë, që për shumëkë njihet si qyteti i minatorëve.”
“Por, para se të bëhej qytet i minatorëve, Mitrovica ishte qytet i pikëtakimeve. Këtu ku bashkohet Ibri me Sitnicën u kryqëzuan rrugët e tregtisë dhe më vonë hekurudha që e lidhi qytetin e Mitrovicës me shumë vende të tjera”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo më tej ka thënë se me themelimin e Trepçës erdhën minatorë, inxhinierë e familje nga anë të ndryshme të Kosovës, por edhe më gjerë, dhe me vete sollën gjuhën, zakonet, muzikën, por po ashtu edhe përvojat e tyre.
“Prej kësaj lëvizjeje lindi një qytet me një jetë të pasur urbane, me kinema, me teatër, me muzikën xhaz e rok, me artistë e shkrimtarë që lanë gjurmë të pashlyeshme në kulturën tonë. Besoj që edhe Green Fest i përket kësaj tradite të Mitrovicës. Prej 16 vjetësh ai sjell bashkë muzikën, artin, të rinjtë, idetë dhe bisedat për vetë qytetin e Mitrovicës.
Gjatë gjithë këtyre viteve Green Fest është kthyer vazhdimisht tek ajo që Mitrovica e ka më pranë, te lumenjtë që kalojnë nëpër qytet, te tokat, te pasojat që ka lënë industria dhe sivjet te biodiversiteti”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo tutje tha se janë gjëra që i kemi çdo ditë para syve dhe mbase nuk i shohim sa duhet.
Sipas saj, pikërisht kur flasim për biodiversitetin, flasim për gjithë atë që na rrethon, për bimët, për shpendët, peshqit, insektet, për ujin, për tokën, që ua mundësojnë jetën, por edhe për lidhjet mes tyre.
“Shpesh natyra humbet pak nga pak, pa na rënë në sy. Një lumë mund të rrjedhë si më parë, ndërkaq brenda tij të ketë gjithnjë e më pak jetë. Andaj, biodiversiteti është edhe çështje politike. Gjendja e ujit, e tokës dhe e ajrit nuk mund të varet vetëm nga kujdesi i secilit prej nesh, por për to duhen të dhëna të sakta, kontroll, masa të rrepta e konkrete dhe përgjegjësi po ashtu edhe nga institucionet”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo më tej ka thënë se në natyrë asnjë lloj nuk mbijeton krejt i vetëm, duke shtuar tutje se, në fund të ditës, biodiversiteti është edhe një histori bashkëjetese.
“E në Mitrovicë, kjo fjalë lidhet me vetë historinë e këtij qyteti. Për shumë vite dallimet janë kthyer në kufi dhe njerëzit janë mësuar ta shohin qytetin sipas anëve. Por, Mitrovica ka qenë qytet ku janë takuar lumenjtë, puna, dija, por po ashtu edhe kultura. Kjo është Mitrovica që duhet ta kujtojmë më shpesh dhe ta nxjerrim përsëri në pah”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo më tej ka thënë se institucionet e Kosovës po punojnë çdo ditë për këtë Mitrovicë.
“Edhe kultura po kthehet në hapësirat që i takojnë. Teatri ‘Muharrem Qena’ është rinovuar, stadiumi ‘Adem Jashari’ po rindërtohet, ndërsa shtëpia e poetit të njohur mitrovicas Latif Berisha do të shndërrohet në muze. Por qytetin nuk e bëjnë vetëm rrugët, urat, shkollat apo teatrot, e bëjnë edhe njerëzit që i mbushin ato me jetë, artistët, muzikantët, organizatorët, të rinjtë e të rejat, të gjithë ata që prej vitesh krijojnë hapësira ku Mitrovica takohet me vetveten, por po ashtu edhe me të tjerët”, është shprehur U.D. Presidentja Haxhiu.
Në fund, U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se Green Fest prej vitesh i jep qytetit muzikë, art, ide dhe arsye të reja për t’u mbledhur bashkë dhe ndoshta pikërisht kështu Mitrovica del dalëngadalë nga hija e ndarjes, duke krijuar gjithnjë e më shumë gjëra që na bashkojnë.

















