...

U.D. Presidentja Haxhiu organizoi pritje për ambasadorë dhe konsuj të Kosovës, të cilët janë me mision në kryeqytete të ndryshme të botës

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, së bashku me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti si dhe me Zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, kanë pritur sonte ambasadorë dhe konsuj të Kosovës, të cilët janë me mision në kryeqytete të ndryshme të botës.

Në fjalën e saj para të pranishmëve, U.D. Presidentja Hahxiu, tha se secili prej jush shërben në një mjedis tjetër politik dhe e sheh nga afër se si ndryshojnë interesat dhe aleancat.

“Ajo që shqetëson Uashingtonin nuk është gjithmonë ajo që shqetëson Brukselin, Ankaranë apo ndonjë kryeqytet tjetër. Shumë prej dallimeve që dikur na ndihmonin ta kuptonim botën po bëhen më pak të qarta. Aleatët nuk pajtohen, rivalët bashkëpunojnë aty ku u leverdis, ndërsa interesat shpesh peshojnë më shumë se ndarjet që i kemi marrë si të qëndrueshme. Dhe pikërisht kur gjërat ndryshojnë kaq shpejt, diplomacia kërkon durimin për të punuar edhe kur rezultati nuk duket menjëherë. Thuhet se “nuk ka asgjë dramatike në suksesin e një diplomati”, ngase ato përparime të vogla që, në shikim të parë, mund të duken krejt të parëndësishme: një bisedë në kohën e duhur, një marrëdhënie e ruajtur me kujdes, këmbëngulja për t’iu kthyer një çështjeje që nuk zgjidhet herën e parë. Besoj se këtë pjesë të punës e njihni shumë mirë. Rrallëherë puna juaj bëhet lajm, por shpesh pikërisht aty nisin gjërat që më vonë marrin rëndësi”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.

Ajo më tej tha se Kosova është ende në atë fazë të historisë së vet kur shumë gjëra jashtë vendit duhen fituar me punë.

Sipas U.D. Presidentes Haxhiu, ka shtete ku emri ynë njihet mirë dhe ku kemi miq që kanë qenë pranë nesh prej vitesh, duke shtuar tutje se ka edhe vende ku ende duhet të shpjegojmë kush jemi, çfarë duam dhe pse çështjet tona meritojnë vëmendje.

“Kjo e bën punën tuaj të ndryshme nga ajo e diplomatëve të vendeve me një histori shumë më të gjatë shtetërore. Në shumë raste, marrëdhënia me vendin ku shërbeni është ende e re dhe një pjesë e madhe e punës bie mbi ju. Ka raste kur nisni pothuajse nga fillimi dhe marrëdhëniet duhet t’i krijoni hap pas hapi. Një ministër, një këshilltar apo një gazetar duhet t’ju njohë edhe jashtë ditëve të krizës, të ketë folur me ju para se të vijë dita kur duhet t’i kërkoni diçka. Kështu, kur vjen një moment i vështirë, nuk nisni nga zero”, është shprehur U.D. Presidentja Haxhiu.

Sipas saj, në shumë vende, Kosova ende njihet përmes një periudhe të caktuar të historisë së saj, dikush e lidh me luftën, dikush me shpalljen e pavarësisë, dikush edhe me zhvillimet që i kemi pasur pas shpalljes së pavarësisë.

“Nga larg, asnjë vend nuk njihet plotësisht. Prandaj edhe takimi me ju ka rëndësi. Ju u jepni njerëzve mundësinë ta njohin Kosovën përtej atij momenti të historisë me të cilin e kanë lidhur dhe ta shohin si vendin që është sot”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.

This site is registered on wpml.org as a development site.