Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim z. Zejnulla Gashi, të cilit i ka dorëzuar dekretin për emërimin në detyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.
“Pas pranimit të propozimit dhe dokumentacionit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, është bërë një shqyrtim i kujdesshëm dhe gjithëpërfshirës i materialeve të dorëzuara, duke përfshirë po ashtu informacionet relevante të siguruara nga institucionet kompetente të sigurisë dhe raportet e organizatave që kanë monitoruar procesin e përzgjedhjes. Marrë parasysh rëndësinë e këtij funksioni dhe nevojën për funksionalizimin e plotë të institucioneve të drejtësisë, kam vepruar në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo i ka uruar z. Gashi suksese në ushtrimin e kësaj përgjegjësie të lartë shtetërore.
Sipas U.D. Presidentes Haxhiu, funksioni i Kryeprokurorit të Shtetit është një nga shtyllat kryesore të sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së rendit kushtetues.
Ajo më tej ka thënë se beteja kundër krimit të organizuar, korrupsionit, ndjekja e kriminelëve të luftës, dhunuesve dhe krimit të çfarëdo forme duhet të marrin përgjigje të prerë nga organi i akuzës.
“Pres që Kryeprokurori Gashi, këtë detyrë ta ushtrojë me integritet të lartë profesional e moral, paanshmëri e guxim gjithnjë me përkushtim të lartë ndaj shtetit, qytetarëve, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës sonë”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.

