...

U.D. Presidentja Haxhiu priti pjesëmarrësit e festivalit ndërkombëtarë NEWBORN Kosova

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot pjesëmarrësit e festivalit ndërkombëtarë NEWBORN Kosova.

Me këtë rast, U.D. Presidentja Haxhiu tha se kemi kënaqësinë të mirëpresim delegacionet nga Hungaria, Franca, Turqia, Meksika, Bullgaria, Greqia, Holanda dhe Kosta Rika, si dhe të shohim secilin prej jush të sjellë këtu, në Prishtinë, një pjesë të traditës kulturore të vendit të vet.

“Festivali po shënon tashmë edicionin e tij të pestë. Brenda një kohe relativisht të shkurtër, ai ka sjellë në Kosovë ansamble folklorike nga vende të ndryshme të botës, e ka njohur publikun tonë me tradita të ndryshme muzikore dhe koreografike dhe ka krijuar një hapësirë ku artistët mund të takohen e të komunikojnë përmes punës së tyre. Vallja tradicionale mësohet me disiplinë dhe përcillet përmes lidhjes së afërt ndërmjet brezave. Hapat mund të jenë të lashtë, por çdo shfaqje u përket njerëzve që i kërcejnë ata sot”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu.

Ajo tha se Kosova e njeh mirë rëndësinë e kësaj trashëgimie, duke shtuar tutje se këngët dhe vallet tona kanë qenë prej kohësh pjesë e jetës familjare, e festave dhe e tubimeve të komunitetit.

“Emri NEWBORN ka një domethënie të veçantë për ne. Ai lidhet ngushtë me shpalljen e pavarësisë dhe me fillimin e jetës sonë si shtet. Nëpërmjet këtij festivali, ky emër është lidhur edhe me shkëmbimin kulturor dhe me praninë gjithnjë më të dukshme të Prishtinës në hartën ndërkombëtare të festivaleve”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu.

Sipas saj, radhitja e NEWBORN-it nga Federata Ndërkombëtare e Festivaleve të Vallëzimit ndër katër festivalet kryesore në botë për vitin 2024 është një arritje e rëndësishme, duke shtuar tutje se ajo dëshmon për punën e organizatorëve, cilësinë e programit dhe besimin e krijuar me ansamblet pjesëmarrëse gjatë këtyre pesë vjetëve.

“Kjo arritje tregon gjithashtu se nismat kulturore nga Kosova mund të fitojnë njohje ndërkombëtare kur ndërtohen me seriozitet, vazhdimësi dhe standarde të qarta. Sot, secili delegacion ka vetëm dy minuta për ta paraqitur vendin e vet. Zgjedhja e një valleje, e një pjese muzikore apo e një kostumi që duhet të përfaqësojë një traditë shumë më të gjerë sigurisht nuk ka qenë e lehtë. Megjithatë, edhe brenda këtyre pak minutave, secili vend arrin të na përcjellë diçka nga veçantia e traditës së vet”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.

U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë më tej se takime të tilla marrin një domethënie të veçantë kur zhvillohen në një mjedis zyrtar si ky.

“Diplomacia zakonisht zhvillohet përmes takimeve, dokumenteve dhe bisedimeve formale, ndërsa kultura na jep një mënyrë tjetër për t’u njohur. Përmes saj mund të shohim se si feston një komunitet, si e ruan kujtesën dhe si e shpreh veten përmes lëvizjes, muzikës dhe veshjes”, pohoi U.D. Presidentja Haxhiu.

Në fund, U.D. Presidentja Haxhiu ka falënderuar artistët, për kohën, disiplinën dhe përgatitjen që kanë investuar për të ardhur në Prishtinë.

“Shpresoj që gjatë qëndrimit tuaj të keni mundësi ta njihni më nga afër Kosovën, njerëzit e saj dhe traditat tona kulturore. Falënderoj organizatorët e Festivalit NEWBORN Kosova, FIDAF Kosova, anëtarët e jurisë, vullnetarët dhe të gjithë ata që kanë punuar për realizimin e këtij edicioni”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu.

This site is registered on wpml.org as a development site.