Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, mori pjesë sot në hapjen e Ekspozitës “Sy më sy”.
Në fjalën e saj para të pranishmëve, U.D. Presidentja Haxhiu tha se në ekspozitën “Sy më Sy”, shikimi është sjellë para nesh në formën më të veçantë të tij: nëpërmjet irisit.
“Irisi është shenjë e papërsëritshme e njeriut. E kemi në sy gjithë jetën, por rrallë ndalemi ta mendojmë. Këtu irisi është nxjerrë nga përditshmëria dhe është sjellë para publikut si shenjë e pranisë së njeriut, me aq afërsi sa kërkon arti dhe me aq përmbajtje sa kërkon dinjiteti”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo, tutje tha se kjo është edhe fuqia e konceptit krijues të “Sy më Sy”.
“Ngase nuk e shpalos njeriun deri në fund. Na jep një shenjë të syrit, pra një gjurmë identifikuese aq sa duhet për t’u ndalur. Kaq mjafton për ta ndier praninë e tij. Pjesa tjetër, ajo që nuk thuhet dhe nuk shfaqet, mbetet e tij, dhe pikërisht kjo përmbajtje e bën edhe më dinjitoze”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu duke iu drejtuar të pranishmëve ka thënë se pas kësaj ekspozite qëndron puna e gjatë e QKRMT-së dhe poashtu edhe e organizatës “Pro Peace” me dëshmi e rrëfime të të mbijetuarave, të mbijetuarve, familjarëve dhe njerëzve të prekur nga dhuna seksuale gjatë luftës në Kosovë.
“Këto rrëfime nuk flasin vetëm për periudhën e vështirë, atë të luftës. Flasin edhe për vitet pas saj që për shumë të mbijetuar të dhunës seksuale në Kosovë, kanë qenë më të vështira, sepse dhimbjes iu shtua heshtja, mosbesimi, gjykimi dhe poashtu frika për të treguar”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo tha se këtu duhet folur edhe për stigmën, e që sipas saj “Për shumë të mbijetuara dhe të mbijetuar, stigma ka qenë pjesë e rëndë e viteve pas luftës. Ajo ka jetuar në turpin që u është vënë padrejtësisht mbi supe. Një shoqëri që do drejtësi për personat e dhunuar gjatë luftës, duhet së pari të mësojë t’i shohë me respekt dhe mirënjohje për forcën me të cilën kanë vazhduar jetën”.
Në këtë drejtim, U.D. Presidentja Haxhiu ka falënderuar Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës për këtë ekspozitë, poashtu organizatën “Pro Peace”, por poashtu edhe për punën e gjatë me të mbijetuarat dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë periudhës së luftës.
Sipas U.D. Presidentes Haxhiu, kjo është punë që bëhet me durim, me besim të fituar ngadalë, me kujdes profesional dhe me shumë përgjegjësi.
“Si Ushtruese e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, dua të them se personat e dhunuar seksualisht gjatë luftës janë pjesë e historisë sonë dhe e përgjegjësisë sonë shtetërore. Ata nuk mund të mbeten në skaj të kujtesës, as të përmenden vetëm në ditë të caktuara. Republika u ka borxh njohje, kujdes, drejtësi dhe jetë me dinjitet”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu.














