Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë sot në Seancën e veçantë në shenjë nderimi për akademikun Rexhep Qosja.
Në fjalën e saj, U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se sot, në këtë seancë përkujtimore, Kuvendi i Republikës së Kosovës nderon akademik Rexhep Qosjen, si njërin ndër njerëzit që e shndërroi kulturën shqiptare në hapësirë mendimi, polemike, vetëdijeje dhe përgjegjësie historike.
“Rexhep Qosja jetoi dhe krijoi në një kohë kur shqiptarëve u kërkohej vazhdimisht ta dëshmonin gjuhën, historinë, përkatësinë dhe të drejtën e tyre politike. Kësaj kohe ai iu përgjigj me vepra, me studime, polemika, qëndrime publike dhe me një disiplinë intelektuale që rrallë shihet në jetën tonë publike. Ai e ndërtoi mendimin e tij mbi vlerat e Rilindjes Kombëtare, mbi trashëgiminë iluministe evropiane, mbi humanizmin dhe mbi figurat që shqiptarëve u dhanë drejtim historik”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo më tej tha se si shkrimtar, ai dëshmoi se letërsia mund të jetë njëkohësisht art dhe ndërgjegje, duke shtuar më tej se në veprat e tij artistike e solli njeriun përballë frikës, pushtetit, padrejtësisë dhe dilemave të kohës sonë.
“Akademik Qosja e nxori studimin e letërsisë shqipe nga kufijtë e një disipline të ngushtë dhe e lidhi me pyetjen më të madhe të kohës së tij: si mbahet gjallë vetëdija e një populli të ndarë, të shtypur dhe të detyruar të mbrojë edhe gjuhën, edhe historinë, edhe të drejtën e vet politike. Me punën e tij kërkimore, me interpretimet e thella dhe me leximin e ri të autorëve tanë më të rëndësishëm, Qosja e bëri letërsinë shqipe pjesë të debatit të madh për identitetin, për vazhdimësinë historike dhe për të drejtën politike të shqiptarëve”, pohoi U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu, më tej tha se si intelektual, në vitet vendimtare për popullin e Kosovës, ai ishte zë i qartë kundër shtypjes, kundër padrejtësisë dhe kundër përpjekjeve për mohimin e identitetit tonë kombëtar.
“Kontributi i tij shtrihet edhe në proceset politike të fundit të shekullit të kaluar, kur Kosova kërkonte liri dhe republikë. Rexhep Qosja e vuri autoritetin e tij intelektual në shërbim të kësaj të drejte, duke e artikuluar lirinë e Kosovës si të drejtë historike dhe si kauzë që kërkonte afirmim ndërkombëtar”, theksoi U.D. Presidentja.
Sipas saj, në jetën kulturore të Kosovës, profesor Qosja zë vendin e atyre figurave të rralla që dalin përtej institucionit dhe shënojnë një epokë të tërë mendimi.
“Instituti Albanologjik, Universiteti i Prishtinës, letërsia, teatri, filmi dhe debati publik mbajnë në themel punën, guximin dhe praninë e tij. Te Qosja, kultura kishte detyrë. Libri kishte detyrë. Intelektuali kishte detyrë. Prandaj vepra e tij doli përtej bibliotekës dhe hyri në historinë politike të Kosovës”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
Sipas saj, Qosja e ktheu argumentin në mjet mbrojtjeje për identitetin dhe të drejtën shqiptare, para se kjo e drejtë të merrte formë në tryezat politike.
“Qysh në vitet e shtatëdhjeta, në veprën “Panteoni i rralluar”, ai kishte shkruar për fjalën dhe heshtjen si çështje etike, politike dhe intelektuale. Më vonë, në polemikat e viteve tetëdhjetë, në publicistikën e viteve nëntëdhjetë dhe në intervistat ku artikuloi të drejtën e Kosovës për vetëvendosje, dëshmoi se për krijuesin shqiptar heshtja nuk mund të ishte strehë në kohë shtypjeje. Fjala, te Qosja, ishte detyrim ndaj së vërtetës dhe ndaj popullit. Në vitin 1991, në një intervistë për shtypin beogradas, kur Jugosllavia po shpërbëhej dhe Kosova mbahej nën shtypje, akademik Qosja deklaronte se këmbëngulja dhe vendosmëria e popullit shqiptar do të vazhdonin përballë vuajtjeve, derisa Kosova ta arrinte të drejtën që i takonte: të drejtën për vetëvendosje politike dhe territoriale”, ka thënë U.D. Presidentja.
Ajo më tej tha se Akademik Rexhep Qosja nuk kërkoi nderime për veten, por Republika ka detyrë t’i nderojë ata, që me veprën e tyre e kanë nderuar shtetin dhe e kanë nderuar kombin.
“Kujtimi për të do të mbetet aty ku ai e vendosi gjithë veprën e tij: në kulturën shqiptare, në mendimin kritik, në gjuhën shqipe dhe në historinë politike e shpirtërore të Kosovës”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

