...

Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani në Akademinë Përkujtimore të Masakrës së Reçakut

I nderuar kryetar i Kuvendit, z. Basha,

I nderuar kryeministër i Republikës, z. Kurti,

I nderuar kryetar i komunës, z. Aliu,

I nderuar ambasador Walker dhe zonja Walker,

Të nderuar ministra, deputetë, përfaqësues të institucioneve të sigurisë,

Të nderuar ambasadorë,

Të dashura familje të viktimave të masakrës së Reçakut,

Përfaqësues të institucioneve, të shoqatave të dala nga lufta,

Të nderuar të pranishëm

Ka vende që mbeten përgjithmonë dëshmi. Ka vende që nuk heshtin kurrë, e ku gjurma e dhimbjes është po aq e freskët sa ishte edhe para 27 vitesh. Ka vende që u bënë zgjimi i ndërgjegjes së botës demokratike. I tillë është Reçaku. Reçaku nuk është vetëm një emër në historinë e Republikës sonë, por u bë pikë kthese. Kthesë, që e qartësoi para botës realitetin e hidhur të regjimit gjenocidal serb ndaj civilëve të pafajshëm në Kosovë.

Më 15 janar 1999, Reçaku u bë simbol i vuajtjes së një populli që kërkonte liri, por edhe simbol i guximit. I guximit për ta quajtur krimin me emrin e vërtetë. Këtë guxim e dëshmoi ai që edhe sot mbetet simboli i së vërtetës, ambasadori William Walker.

“Nga ajo që pashë personalisht, nuk hezitoj që ta përshkruaj ngjarjen si masakër, duket qartë, padyshim një krim i rëndë kundër njerëzimit”.

Këto ishin fjalët e ambasadorit William Walker, të shqiptuara më 16 janar 1999, në Reçak. Por, nuk ishin vetëm fjalë, ishin pikë kthese në historinë tonë që tronditën botën e mbi të gjitha ia zhveshën maskën gënjeshtrës së regjimit gjenocidal të Serbisë.

Në këtë vend, ku toka ende mban peshën e dhimbjes, 27 vjet më parë, 45 civilë, burra e gra e të moshuar të këtij fshati u masakruan mizorisht, shumica në Kodrën e Bebushit.

U vranë vetëm e vetëm sepse ishin shqiptarë. Njerëz që kërkonin të jetonin të lirë në tokën e tyre.

Në mesin e 45 martirëve ishte edhe babai dhe motra e Benjamin Mehmetit. Atë ditë të ftohtë janari, fati i dy vëllezërve binjakë, u nda nga një vendim i pafajshëm, i rikthimit në shtëpi. Benjamini vendosi të qëndrojë edhe një natë te dajët e tij në fshatin Godanc, ndërkaq Elhamiu vendosi të rikthehej në shtëpi, në Reçak.

Por, kthimi në shtëpi ishte sa dëshirë e madhe, po aq ankth, pasiguri dhe rrezik, mbi të gjitha. Në ditën e tmerrshme të 15 janarit 1999, rrugën Elhamiut ia prenë plumbat e regjimit gjenocidal të Serbisë, nga të cilët ai mbeti i plagosur, teksa motra Hanumshahja u vra derisa tentoi t`i dilte në ndihmë vëllait të saj, siç bën çdo motër për vëllain e vet. Makthi për familjen nuk mbaroi me kaq. Benjamini humbi edhe babain po atë ditë.

Dhimbja e Benjamin Mehmetit nuk është individuale, por është një dhimbje e gjithë Kosovës, është një dhimbje e secilit në Reçak. Sepse, ata që humbën më të dashurit e tyre ishin shumë, janë shumë, janë në mesin tonë çdo ditë.

Në Kosovë, secili ka dhënë diçka për lirinë: dikush gjak, dikush pushkë, dikush djersë e dikush lot, që nuk ndalen as sot.

E pikërisht kjo sakrificë e bëri lirinë e mundshme. E bëri të mundshëm edhe shtetin tonë të pavarur, i cili i dedikohet secilit që dha mund dhe që bëri sakrificë në mënyrën e vet që sot të jetojmë të lirë në Republikën e Kosovës.

Të nderuar të pranishëm,

Masakra e Reçakut ishte kthesë historike, ngase pamjet e asaj dite tronditën ndërgjegjen ndërkombëtare dhe mobilizuan diplomacinë botërore. Kjo ndodhi sepse një njeri, ambasadori William Walker, i cili sikurse çdo përvjetor edhe sot ndodhet këtu me ne, pati guximin ta cilësojë krimin me emrin e tij të vërtetë. Ai nuk u përkul para propagandës së Millosheviqit. Ai i dha zë së vërtetës, ndaj populli i Kosovës do të jetë përjetësisht mirënjohës.

Faleminderit ambasador Walker për të vërtetën, sepse në saje të saj, bota njohu krimin që Serbia e kishte kryer ndaj viktimave të pafajshme në Republikën e Kosovës. Kjo ishte e qartë atëherë e kjo është e qartë edhe sot dhe do të mbetet e tillë gjithnjë, pavarësisht pretendimeve të Serbisë për rishkrim të historisë. Rrëfimin për tmerrin e 15 janarit të vitit 1999, ju e përjetësuat edhe në librin tuaj autorial “Reçak: Historia e një krimi lufte”. Dëshmia e atëhershme dhe kjo e sotmja janë vulë e së vërtetës së Reçakut për ne dhe për brezat që do të vijnë pas nesh.

Fjalët tuaja trasuan rrugën për ndërhyrjen e NATO-s, e cila krahas luftës së drejtë të vajzave dhe djemve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e bëri të mundshme përmbushjen e ëndrrës sonë shekullore për liri.

Vajzat dhe djemtë e UÇK-së ishin përfaqësuesit më të denjë të një brezi, që nuk u gjunjëzuan kurrë përballë terrorit serb. Ata mbrojtën pragun e shtëpisë, mbrojtën popullatën e pafajshme, mbrojtën dinjitetin dhe rikthyen shpresën, ndaj u jemi përjetësisht mirënjohës secilit nga 3000 dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë edhe ata që e dhanë jetën në Reçak.

U jemi mirënjohës njëkohësisht të gjithë veteranëve dhe invalidëve të luftës, të cilët akoma edhe sot mbajnë barrën e mbrojtjes së luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sot, ndërsa Reçaku ende kërkon drejtësi, përballemi me mohimin, me relativizimin e krimit dhe me vazhdimësinë e një mendësie që prodhoi gjenocid. Por, e vërteta nuk zhbëhet kurrë. Reçaku është dëshmi, Reçaku është fakt historik. Këtu në këtë tokë, ku janari u shndërrua në varr, e ku klithmat e dhimbjes nuk u shuan kurrë, këtu është dëshmia e përjetshme.

Prandaj, ne e kemi obligim mos të heshtim kurrë. Të flasim çdo ditë, në çdo forum, këtu e kudo në botë. Të dëshmojmë se në vitet e ‘90-ta, populli i Kosovës mbrojti pragun e shtëpisë nga një regjim gjenocidal.

Të nderuar të pranishëm,

Reçaku ende flet fuqishëm nëpërmjet thirrjes për drejtësi. Sepse, Reçaku ishte krim i planifikuar, i kryer me qëllim për shfarosje, ndaj sikurse për çdo krim tjetër, ne akoma thërrasim dhe punojmë për drejtësi.

Sot, dhimbja nuk vjen vetëm nga ajo që ndodhi atë ditë, por edhe nga ajo që nuk ndodhi më pas. Nga mungesa e drejtësisë dhe nga përpjekjet për ta relativizuar, mohuar apo deformuar të vërtetën, përpjekje këto që vazhdojnë në Serbi.

Drejtësia për Reçakun ende mbetet peng, ndaj nuk do të reshtim së kërkuari atë, nga bindja se pa drejtësi nuk ka paqe të qëndrueshme. Pa drejtësi nuk ka pajtim të vërtetë e pa drejtësi, historia gjithnjë rrezikon të përsëritet.

Prandaj, sot jemi këtu dhe do të jemi çdoherë për të mos lejuar që viktimat të vriten për herë të dytë nga harresa apo nga mohimi.

Ne nuk do të harrojmë kurrë dhe kujtimi për të rënët do të jetë udhërrëfyes në çdo hap tonin në forcimin e Republikës sonë të lirë, sovrane e të pavarur.

Qoftë i përjetshëm kujtimi për martirët e Reçakut!

Lavdi për të gjithë dëshmorët e UÇK-së!

Zoti e bekoftë Reçakun, Kosovën dhe gjithë popullin tonë!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.