DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Osmani priti në takim Ministren Federale të Austrisë për Evropë, Integrim dhe Familje, znj. Claudia Plakolm, dhe Sekretaren e Shtetit të Sllovenisë për Çështje Evropiane, znj. Neva Grašič

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Ministren Federale të Austrisë për Evropë, Integrim dhe Familje, znj. Claudia Plakolm, si dhe Sekretaren e Shtetit të Sllovenisë për Çështje Evropiane, znj. Neva Grašič.

Në takim u diskutua për marrëdhëniet e shkëlqyera të Kosovës me Austrinë dhe Slloveninë. Presidentja Osmani i falënderoi për mbështetjen ndaj Kosovës, si dhe për angazhimin në promovimin e stabilitetit rajonal.

Më tej, Presidentja Osmani theksoi progresin e Kosovës në zbatimin e reformave evropiane dhe kërkoi përkrahjen e Austrisë dhe Sllovenisë për heqjen e masave kufizuese të BE-së, duke i cilësuar ato të pajustifikuara në raport me arritjet e vendit. Po ashtu, Presidentja Osmani tha se shpreson se këto dy vende mike do të jenë ndër zërat më të fuqishëm për të shtyrë përpara aplikimin e Kosovës për shtet kandidat të BE-së, ashtu siç e kanë vepruar me disa shtete të rajonit më parë.

Në fund, Presidentja Osmani nënvizoi se Kosova mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj vlerave evropiane të demokracisë, barazisë dhe të drejtave të njeriut, ndërsa miqësia dhe partneriteti me Austrinë dhe Slloveninë janë shtylla të rëndësishme të politikës së jashtme të vendit.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.