DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Osmani: Kujtimi për Ilir Konushevcin dhe mjekun Hazir Malaj është zotim i përhershëm për ta ruajtur lirinë e fituar me gjakun e tyre dhe për të jetësuar me dinjitet amanetin që ata lanë pas

Sot, kujtojmë me respekt heroin Ilir Konushevci, luftëtarin e pathyeshëm të UÇK-së, në misionin për lirinë e atdheut. Bashkë me mjekun Hazir Mala, ata ishin të palëkundur në përkushtimin e tyre për liri, teksa hovi i tyre u ndërpre pabesisht në një pritë të organizuar, në kohën kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës po shtrihej dhe organizohej me vrull për ta çuar deri në fund misionin e saj çlirimtar. Vrasja e tyre ishte një humbje e rëndë për UÇK-në, por edhe një gur themeli për lirinë tonë dhe për shtetin për të cilin ranë, ndaj drejtësia për ta është obligim.

Ata ranë bashkë, por u ngritën përjetësisht në kujtesën kombëtare si simbol i përbashkimit të dijes dhe armës, i guximit dhe humanizmit, i lirisë dhe sakrificës.

Kujtimi për Ilir Konushevcin dhe mjekun Hazir Malaj është zotim i përhershëm për ta ruajtur lirinë e fituar me gjakun e tyre dhe për të jetësuar me dinjitet amanetin që ata lanë pas.

Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së tyre!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.