...

Fjalimi i Presidentes Osmani në tubimin përkujtimor të 26-vjetorit të Masakrës së Makocit

Të dashur familjarë të martirëve të lirisë,

Të dashur familjarë të dëshmorëve të kombit tonë,

I nderuar kryetar i Prishtinës,

Të nderuar deputetë,

Përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale,

Të mbijetuar dëshmitarë e qytetarë të dashur,

Sot të gjithë bashkë qëndrojmë në këtë vend të shenjtë, për të përkujtuar një plagë të thellë në historinë tonë të dhimbshme e të lavdishme. Jemi këtu për të nderuar kujtimin e atyre që u masakruan mizorisht në Makoc, në ditët e errëta të prillit 1999, gjatë njërës prej periudhave më të egra të fushatës gjenocidale që makineria vrastare e Serbisë e ndërmori kundër popullit tonë.

Në këtë vend që mban ende dhimbjen e prillit të vitit ‘99, 115 jetë u morën padrejtësisht ashtu siç u morën edhe me mijëra të tjera anekënd Kosovës, ëndrra të cilat u shuan përpara se të realizoheshin. Të rënët këtu në Makoc ishin qindra prej të vrarëve në rajonin e Gollakut brenda vetëm katër ditësh.

Prandaj, ky vend është testament, është amaneti që na e lanë ata që u vranë nga dora serbe pa asnjë mëshirë, vetëm e vetëm pse ishin shqiptarë, vetëm pse e donin lirinë, vetëm pse kërkonin të jetonin të lirë në tokën e tyre. Ky vend është edhe një dëshmi e një krimi që ende nuk u ndëshkua, por që nuk do të mbetet asnjëherë pa zë, sepse Kosova nuk do të heshtë asnjëherë për të vërtetën e saj.

Sot, në këtë vend të shenjtë ku prehen trupat e martirëve e dëshmorëve, ne nuk kemi ardhur vetëm për ta përkujtuar krimin e tmerrshëm, por kemi ardhur edhe për të nderuar qëndresën e popullit tonë. Kemi ardhur për ta kujtuar dhimbjen e madhe të familjarëve. Kemi ardhur për t’u përulur para sakrificës së të rënëve, e mbi të gjitha për të vazhduar me thirrjen tonë të fuqishme për drejtësi.

Në Makoc dhe në fshatrat tjera përreth brenda vetëm disa ditësh nuk u kursye askush, nuk u kursye as Fortesa 7 vjeçe, nuk u kursye as Hamidja 98 vjeçe. Kjo është barbaria e krimit, barbari që synonte asgjësimin e qenies sonë në çdo formë të saj. Por ajo që regjimi gjenocidal serb nuk arriti ta zhdukë kurrë, është shpirti i pathyeshëm i popullit tonë liridashës.

Makoci, ashtu si edhe gjithë Kosova, është dëshmi e një sakrifice të jashtëzakonshme, e një sakrifice që nuk ka ndodhur rastësisht, por si rezultat i vendosmërisë së popullit tonë, një vendosmërie që ka zgjatur me shekuj të tërë, vendosmëri për mos t’u nënshtruar kurrë, për të jetuar të lirë në tokën e të parëve tanë.

Rruga jonë ende vazhdon, por themelet i kemi të forta, sepse janë themele të ngritura mbi gjakun e dëshmorëve dhe martirëve tanë ndër breza të tërë.

Sot, Kosova është e lirë, e pavarur dhe me institucione shtetërore. Sot, Kosova është faktor i paqes dhe stabilitetit në rajon. Sot, Kosova është aleate e denjë e shteteve demokratike. Dhe kjo është arritja më e madhe e një populli që dikur e kërkonte lirinë me çdo çmim, e sot e mbron atë me çdo çmim dhe me dinjitet.

Edhe në këtë përvjetor të dhimbjes dhe krenarisë, të gjitha institucionet shtetërore përgjegjëse duhet të rikujtojnë se përkujdesjen për vlerat e sakrificës për liri dhe trashëgimisë së tyre i kemi obligim, i kemi detyrim të përhershëm sepse mbi to kemi themelin e shtetit tonë. Sepse pa kujdes për kujtesën dhe pa respekt të thellë për të rënët, ne asnjëherë nuk do të kemi të ardhme të ndritur.

Makoci do të mbetet përgjithmonë kujtim, por edhe amanet, e mbi të gjitha zotim për të ardhmen. Zotim se nuk do t`i harrojmë asnjëherë dëshmorët e martirët. Zotim se nuk do t’i harrojmë asnjëherë të zhdukurit me dhunë nga lufta e fundit në Kosovë. Zotim se nuk do ta lëmë kurrë përpjekjen për vendosjen e drejtësisë. Zotim se do t`i edukojmë brezat e rinj me të vërtetën e historisë sonë të lavdishme dhe se do ta ruajmë lirinë si thesarin më të çmuar që e kemi.

Lavdi përjetë të gjithë martirëve të Masakrës së Makocit!

Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit!

Drejtësi për viktimat, paqe e përhershme për shpirtin e tyre e përjetësi për sakrificën e tyre të shenjtë!

Ju faleminderit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.