...

Presidentja Osmani: Banorët e Krushës së Madhe e Krushës së Vogël qëndruan dhe u shndërruan në simbol të pathyeshmërisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në 26 vjetorin e masakrave në Krushë të Madhe dhe në Krushë të Vogël ka bërë homazhe dhe ka marrë pjesë në tubimet përkujtimore në Krushë të Madhe dhe Krushë të Vogël.

Presidentja Osmani ka shkruar:

Sot kujtojmë me dhimbje dhe nderim 241 banorë të vrarë në Krushë të Madhe dhe 113 të vrarë në Krushë të Vogël nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit.

Sot e kësaj dite, 64 persona nga Krusha e Madhe, si dhe 60 nga Krusha e Vogël, mbeten të zhdukur me dhunë nga regjimi serb, si dëshmi e krimit të përsëritur dhe i dhimbjes së pashuar të familjarëve që akoma nuk kanë ku të vendosin një lule kujtimi.

Në mesin e të vrarëve kishte fëmijë e pleq, e edhe gra shtatzëna, si dëshmi se mizoria e regjimit të Millosheviqit nuk kishte kufi. Pasi i vranë banorët e këtyre fshatrave, ata i dogjën kufomat, me qëllim të pastër për të shfarosur popullin tonë nga tokat tona.

Por banorët e Krushës së Madhe e Krushës së Vogël qëndruan dhe u shndërruan në simbol të pathyeshmërisë. Sot para tyre rikonfirmojmë përkushtimin tonë të çdoditshëm për drejtësi dhe që kujtimi për të rënët mos të harrohet kurrë.

Lavdi e përjetshme gjithë atyre që u flijuan për liri!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.