...

Fjalimi i Presidentes Osmani në Pritjen Shtetërore për nder të 17 vjetorit të Pavarsisë së Kosovës

Mirëmbrëma të gjithëve!

Më lejoni edhe një herë që në emër të gjithë qytetarëve të Kosovës, dhe jo vetëm për ju që ishit sonte këtu, t’i falënderoj fëmijët që erdhën nga katër komunat e veriut të Kosovës, nga fshatra thellë në veri të Kosovës, jo vetëm si dëshmi e talentit të tyre, por kënduan këtu himnin e Republikës sonë edhe si dëshmi e sovranitetit të vendit tonë dhe sovranitetit të çdo pëllëmbe të Republikës sonë.

I nderuar President Begaj,

E nderuar Zonja e parë, znj. Armanda Begaj,

I nderuar Kryeministër Kurti,

Të nderuar ish-presidentë,

Deputetë e ministra,

I nderuar Kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut,

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

Shumë të nderuar partnerë, miq ndërkombëtarë të vendit tonë,

Të nderuar të pranishëm jo vetëm nga Kosova por edhe nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Presheva, Medvegja e Bujanovci dhe nga mërgata jonë e dashur nga anekënd botës,

17 Shkurti i vitit 2008 ndryshoi fatin tonë përgjithmonë. Për 17 vite tashmë, kjo ditë shënohet si dita më domethënëse në historinë e shtetit tonë.

Gjersa sonte në këtë ditë të shenjtë për Kosovën, jemi mbledhur për ta festuar bashkërisht Ditën e Pavarësisë së Republikës.

Para 17 viteve po në këtë ditë, populli i Kosovës realizoi një ëndërr shekullore të brezave të tërë. Një realitet i fituar me sakrificë dhe një amanet që e mbajmë me përkushtim çdo ditë.

Sot, në çdo rrugë dhe çdo shesh, në çdo shtëpi dhe çdo familje triumfon dashuria për Kosovën. E kjo dashuri është ajo që na ka mbajtur dhe vazhdon të na mban të fortë gjithmonë.

Para 17 vjetësh në këtë tokë të bekuar, Kosova i tha gjithë botës njëzëri se do të jetë përherë e lirë, e pavarur dhe sovrane.

Liria jonë nuk ishte e dhuruar. Ajo u fitua me gjakun e bijve e bijave, trima guximtarë e liridashës të këtij vendi.

Kujtimi për ta, për secilin dëshmor të UÇK-së, e për secilin martir të lirisë është përjetësisht i gdhendur në themelet e Republikës sonë.

Liria jonë bart edhe vulën e aleatëve tanë, të cilët qëndruan me popullin tonë në ditët më të vështira, e të cilët vazhdojnë të qëndrojnë me ne të palëkundur.

Ata ishin me ne në vitet më të errëta të historisë sonë e vazhdojnë të qëndrojnë pranë popullit tonë, përderisa Republika jonë shkruan kapituj të rinj e vendimtarë në forcimin e shtetit.

Në këtë përvjetor, le të kujtojmë jo vetëm sakrificën e atyre që dhanë gjithçka për lirinë dhe pavarësinë tonë, por edhe përgjegjësinë që kemi secili prej nesh, për ta ndërtuar një shtet edhe më të fortë, edhe më demokratik, edhe më të drejtë.

Një Kosovë, që u shërben çdoherë qytetarëve të saj, që mbron të drejtat e secilit pa dallim dhe që ecën krenare drejt familjes euroatlantike aty ku përket me të drejtë.

Në këto 17 vite Kosova ka ecur përpara. Rinia jonë ka shkëlqyer në sport, në shkencë, në art dhe në çdo fushë tjetër, duke treguar se e ardhmja jonë është gjithmonë e ndritur dhe krenare.

Gratë dhe vajzat e Kosovës me guxim e vizion janë bërë shtylla të pandalshme të zhvillimit të shtetit tonë.

E qytetarët tanë brenda e jashtë kufijve e mbajnë gjithnjë gjallë shpirtin e Kosovës kudo që ndodhen.

17 Shkurti sot e përgjithmonë është zotim i përhershëm për të ndërtuar një të ardhme, ku çdo qytetar jeton me dinjitet, me mundësi të barabarta e besim të plotë në shtetin e tij.

Është një thirrje për secilin prej nesh, që të punojmë edhe më shumë e çdo ditë me ndershmëri, me përkushtim dhe me dashuri të pakufishme për këtë tokë, e cila na dha gjithçka.

Të nderuar miq,

Të dashur qytetarë të Kosovës,

Kosova është shtëpia jonë, krenaria jonë dhe përgjegjësia jonë më e madhe.
Bashkë që të gjithë me vendosmëri e unitet, krah për krah me aleatët tanë do të ecim përpara.

Sot dhe përherë, le ta mbajmë lart flamurin e Republikës sonë dhe le ta dëshmojmë para botës, se Kosova është dhe do të mbetet histori suksesi, një dritë shprese dhe një forcë e pathyeshme.

Gëzuar të gjithëve Pavarësinë e Kosovës!

Lavdi të gjithë atyre që dhanë gjithçka për këtë ditë!

Rroftë Republika e Kosovës, populli i saj dhe aleatët tonë!

Gëzuar!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.