Të nderuar të pranishëm
E nderuar znj. Vaschchenko, udhëheqëse e Zyrës së UNICEF-it,
Shumë të dashur miq,
Më shumë se 140 milionë fëmijë mund të detyrohen të zhvendosen nga shtëpitë e tyre, si rezultat i ndryshimeve klimatike deri në vitin 2050. Për më tepër, si rezultat i rritjes së vazhdueshme të temperaturave, miliona fëmijë në mbarë botën do të përballen me kequshqyrje për shkak të ndikimit të drejtpërdrejtë të ndryshimit të temperaturave edhe në kulturat bujqësore.
E sikur kjo të mos mjaftonte 1 në 3 fëmijë të prekur nga fenomene ekstreme klimatike raportojnë trauma dhe ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin e tyre mendor si pasojë e këtyre ndryshimeve.
Sipas raportit që do të publikohet sot, mjedisi dhe ndryshimet klimatike përbëjnë tre nga pesë faktorët kryesorë që rrezikojnë shëndetin nga sëmundjet e ndryshme tek fëmijët nën 5 vjeç edhe këtu te ne në Kosovë dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor.
Në vendin tonë fëmijët përballen me një nga ekspozimet më të mëdha ndaj këtyre ekstremeve klimatike. Rreth 23 për qind e fëmijëve në Kosovë jetojnë nën kufirin kombëtar të varfërisë, gjë që ndikon edhe në qasjen e tyre në ujë të pijshëm, ujë të sigurt, në strehim adekuat, në energji të pastër dhe shërbime të tjera thelbësore për jetën dhe shëndetin e tyre.
Për më tepër, vetë ekspozimi ndaj nxehtësisë për shkak të rritjes së temperaturave, është konstatuar që të ketë efekte akute në shëndetin e fëmijëve, madje edhe para lindjes së tyre, duke çuar potencialisht në lindje të parakohshme, në peshë të ulët tek fëmijët pas lindjes, në vdekje në lindje dhe anomali kongjenitale.
Vlerësohet se rreth 10 për qind të lindjeve në Kosovë janë të parakohshme, që do të thotë se foshnja lind para javës së 37-të të shtatzënisë. E një ndër arsyet që çon deri te kjo, janë pikërisht edhe efektet e ndryshimeve klimatike.
Pra, faktet janë alarmante. Numrat flasin zëshëm, e realiteti është i qartë. Ndryshimet klimatike po ndikojnë jashtëzakonisht negativisht në jetën e fëmijëve tanë. E ky nuk është një fakt që mund ta mohojmë, sepse mohimi i këtij fakti sot e bën përballjen me këtë fenomen edhe më të vështirë, e ndoshta edhe totalisht të pasuksesshëm në të ardhmen.
Prandaj, jam sot këtu sepse na duhet të pranojmë gjithnjë e më shumë, por mbi të gjitha, të punojmë gjithnjë e më shumë e gjithnjë e më mirë.
Kjo është një sfidë që nuk njeh kufij, një kërcënim që na prek të gjithëve dhe një thirrje për veprim që nuk mund të injorohet më. Kosova fatkeqësisht nuk përjashtohet nga ky realitet i hidhur.
Jemi dëshmitarë të efekteve të ndryshimit të klimës nga afër çdo ditë e më shumë. Verat tona po bëhen më të nxehta, dimrat më të paparashikueshëm dhe frekuenca e thatësirave, por edhe e përmbytjeve, sa vjen e rritet dhe po i shohim viktimat gjithandej nëpër rajon dhe edhe në kontinentin tonë.
Numri i zjarreve në pyje po shtohet, përderisa ajri që thithim cilësohet si ndër më të ndoturit në Evropë, por edhe në nivel botëror.
Me gjysmën e popullsisë nën moshën 25-vjeçare, të rinjtë dhe fëmijët tanë janë aseti ynë më i çmuar. Ata nuk janë thjesht udhëheqësit e së nesërmes, por janë partnerët tanë sot. Megjithëse ata kanë kontribuar më së paku në problemet e ndryshimeve klimatike, ata do ta trashëgojnë botën që ne e formësojmë përmes veprimeve dhe vendimeve tona sot.
Kjo nuk është më vetëm një krizë mjedisore, tashmë kjo është një krizë humanitare. Andaj, më lejoni t’i shpreh mirënjohjen time UNICEF-it, që na ka bashkuar sot për të na rikujtuar se nuk duhet të ndalemi së punuari në këtë drejtim për asnjë moment.
Në ballafaqimin me ndryshimet klimatike nuk ka hapësirë për pauzë. Kemi nevojë për veprim sot, këtu dhe çdo ditë, pa ndërprerje. Është detyrë e jona t’i fuqizojmë fëmijët tanë e të sigurohemi që ata të kenë mjetet e nevojshme dhe vizionin e duhur për të ndërtuar një Kosovë të qëndrueshme që shërben jo vetëm për brezin e tyre, por edhe për brezat që do të vijnë pas tyre.
Më gëzon fakti që Kosova ka marrë drejtimin e duhur, atë të së ardhmes së gjelbër. Prandaj, duhet të vazhdojmë të punojmë që të shndërrohemi nga një vend pothuajse tërësisht i varur nga thëngjilli, në një Kosovë që investon ditë pas dite në burimet e ripërtëritshme. Nuk është e lehtë, por është absolutisht e nevojshme, sepse nuk ka gjë më të rëndësishme sesa shëndeti i fëmijëve tanë.
Një Kosovë me sektorë të energjisë gjithnjë e më inovativë, më të gjelbër dhe më të qëndrueshëm, po bëhet dita-ditës.
Kjo do të thotë se po ndërtojmë një të ardhme më inovative, më të gjelbër dhe më të qëndrueshme për të rinjtë tanë, për fëmijët tanë. Në këtë rrugëtim nuk ia dalim dot vetëm.
Prandaj, faleminderit të gjithëve, shteteve mike që sot janë prezentë dhe që mbështesin çdo projekt në këtë drejtim. Faleminderit secilit për mobilizimin dhe angazhimin, sepse në këtë rrugëtim nuk mjafton as vetëm të kemi vullnet, sepse lufta është e ashpër e sfidat janë të shumta.
Sipas vlerësimeve, vetëm 0.03 dollarë, 0.03 dollarë për kokë fëmiu është shuma që ndahet për projektet që kanë për qëllim adresimin e sfidave me të cilat fëmijët përballen si pasojë e ndryshimeve klimatike.
Vetëm 0.03 dollarë për kokë fëmiu. Llogariteni! Përderisa mbi 80 për qind të atyre që më së shumti afektohen nga ndryshimet klimatike janë pikërisht gratë dhe fëmijët.
Buxheti total që sot në nivel botëror shkon për t’i mbështetur gratë dhe fëmijët është më pak se 1 përqind. Pra, llogariteni çfarë realiteti.
Më pak se 1 për qind shpenzohet për t’i mbështetur ata që më së shumti vuajnë nga ndryshimet klimatike dhe që përbëjnë 80 për qind të atyre që vuajnë nga ndryshimet klimatike. Dhe ky është një realitet, të cilin duhet ta ndryshojmë.
Pra, nuk është fare proporcionale me atë që flasim e as me atë që aspirojmë. Ajo që ndahet si fond apo si projekt për mbështetjen e fëmijëve dhe grave.
Për Kosovën kjo bëhet akoma më sfiduese, duke pasur qasje të limituar në mekanizmat ndërkombëtarë financiarë, të cilët u ofrohen shteteve për t’i luftuar ndryshimet klimatike. Por kjo nuk duhet të na ndalojë në përkushtimin tonë dhe angazhimin për ta ndryshuar këtë realitet.
Prandaj edhe raporti i sotëm besoj që është një pikë kthese për të gjithë ne. Një rikujtim se në drejtim të realizimit të suksesshëm të agjendës së gjelbër, do t’ia dalim vetëm kur i vendosim fëmijët e Kosovës në qendër të angazhimit tonë dhe dizajnimit të politikave të përditshme.
Nuk mund të ketë të ardhme të duhur për ta, duke dizajnuar projekte e politika pa ata, pa e pasur interesin e fëmijëve në qendër të secilit proces vendimmarrës.
Prandaj, faleminderit UNICEF-it për punën e shkëlqyer, uroj që raporti juaj të na shërbejë të gjithëve si udhërrëfyes për akoma më shumë punë, punë të mençur, punë gjithëpërfshirëse dhe punë në dobi të fëmijëve tanë dhe të së ardhmes sonë.
Të sigurohemi së bashku që pas fjalëve pasojnë përherë veprat!
Ju faleminderit!
