E dashur Vasfije, Shyrete
I dashur Ramadan,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës,
I nderuar kryeministër Kurti,
Të nderuar zëvendëskryeministra dhe ministra të Kabinetit Qeveritar,
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike,
E nderuara znj. Feride Rushiti,
Të nderuar qytetarë,
Të nderuara media,
Së pari, dua të shpreh mirënjohjen time të thellë, për secilin që ndër vite, ka punuar me këmbëngulje për këtë kauzë. Ne sapo ndezëm qirinj në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, një simbolikë e thjeshtë në dukje por e thellë në domethënie, siç do të thoshte Martin Luther King: “Errësira nuk mund ta dëbojë errësirën, këtë mund ta bëjë vetëm drita.”
Andaj sot, kur themi “Ma kthe dritën”, flasim për dritën që i detyrohemi të vërtetës, për dinjitetin që u tentua të nëpërkëmbet dhe për jetën që u nda në dysh.
Pak krime e godasin qenien njerëzore me aq egërsi sa dhuna seksuale në luftë, ngase përmes saj sulmohet rrënjësisht vetë dinjiteti njerëzor. Dhuna seksuale si një ndër mjetet më mizore të luftës nuk është dukuri e vonë apo një shpërfaqje e rastësishme e brutalitetit njerëzor. Ajo është e rrënjosur thellë në historinë e luftërave, si formë e përsëritur e nënshtrimit dhe shkatërrimit shoqëror.
Që nga luftërat e lashta, trupat e grave janë trajtuar si pjesë e plaçkës së luftës dhe si territor që pushtohet bashkë me tokën.
Në shekujt që pasuan, kjo praktikë nuk u zhduk, por mori trajta më të organizuara. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhuna seksuale u përdor në shkallë të gjerë, nga masakrat në Azi deri te përdhunimet masive në Evropë, shpesh të toleruara ose të padënuara nga strukturat ushtarake. Në disa raste, ajo u institucionalizua, si në sistemet e skllavërisë seksuale të vendosura nga ushtritë pushtuese.
Në fund të shekullit njëzet, në luftërat e ish-Jugosllavisë dhe në Ruandë, bota u përball me një të vërtetë që nuk mund të maskohej më. Dhuna seksuale që deri atëherë konsiderohej pasoj e luftës u pa si instrument i saj, ashtu siç edhe përdorej, me vetëdije të plotë si mjet terrori, si instrument poshtërimi, si mënyrë për të depërtuar përtej trupit të njeriut dhe për të goditur dinjitetin e vet viktimës, familjes, të komunitetit, të vetë lidhjes shoqërore që mban një popull në këmbë. Pikërisht në këtë periudhë, drejtësia ndërkombëtare filloi ta njohë atë si krim lufte, si krim kundër njerëzimit dhe, në rrethana të caktuara, si element të gjenocidit.
Megjithatë, edhe kur u emërtua juridikisht, ajo mbeti për një kohë të gjatë e mbyllur në heshtje shoqërore. Turpi iu ngarkua viktimave, ndërsa krimi u zhvendos në periferi të kujtesës kolektive.
Në Kosovë, ky mjet brutal dhe mizor u ushtrua nga aparati shtetëror i Serbisë dhe nga strukturat e saj ushtarake, policore e paramilitare si pjesë e fushatës së organizuar të terrorit mbi popullsinë civile shqiptare. Dhe kjo duhet thënë qartë. Ishte pjesë e një mekanizmi të vetëdijshëm dhune, që kishte për synim poshtërimin, nënshtrimin dhe lëkundjen e themeleve të shoqërisë sonë.
Mbi njëzet mijë gra, burra dhe fëmijë u përballën me këtë krim gjatë luftës së fundit në Kosovë. Por ky numër është shumë më shumë sesa shifër statistikore. Ky numër nënkupton fate të cunguara njerëzore, familje që u detyruan të bartin në heshtje një dhimbje të madhe, dhe jetë të tëra që u ndanë përgjithmonë në dysh.
Për vite të tëra pas çlirimit, kjo pjesë e së vërtetës sonë mbeti në skaj të ndërgjegjes publike. Krimi ishte i njohur, por jo i shqiptuar me peshën që meritonte. Të mbijetuarit bartën në vetmi barrën e asaj që duhej ta kishte bartur si përgjegjësi vetë shoqëria, ndërsa autorët e këtyre krimeve, në shumë raste, mbetën të lirë, jashtë juridiksionit tonë dhe nën mbrojtjen e Serbisë.
Sidoqoftë, edhe në mes të errësirës u ndez një dritë qiriri sikurse këta që i ndezëm ne bashkërisht sot. U thye heshtja. Patëm gra dhe burra që gjetën forcën të flasin kur heshtja dukej më e lehtë. Gra dhe burra që nuk kërkuan të shihen me keqardhje, por të dëgjohen me dinjitet. Ata sot janë në mesin tonë, këtu e kemi Vasfijen, këtu e kemi Shyreten, këtu e kemi Danin. Të ndjerën Marte Tunaj, të mbijetuar të dhunës seksuale që me zërin e tyre ndryshuan jo vetëm diskursin publik, por vetë ndërgjegjen e këtij shteti.
Falë atij guximi, Republika e Kosovës nisi më në fund të ndërtojë një përgjigje institucionale të denjë për peshën e kësaj çështjeje, duke nisur nga njohja ligjore e statusit të të mbijetuarve të dhunës, te mekanizmat e verifikimit dhe mbështetjes, e deri te përfshirja e kësaj dite në kalendarin memorial të Republikës sonë. Kjo datë lidhet me 14 prillin e vitit 1999, ditën kur u rrëmbye dhe u dhunua seksualisht Vasfije Krasniqi.
Vasfije, ne jemi me ty. Ti e ke mbështetjen jo vetëm të institucioneve të Republikës së Kosovës, por edhe gjithë kombit shqiptar dhe shumë e më shumë se kombi shqiptar.
Në vitet e fundit, institucionet e Republikës së Kosovës kanë ndërmarrë hapa të qëndrueshëm për adresimin e krimeve të kryera nga Serbia në Kosovë: përmes zhvillimit të politikave të drejtësisë tranzicionale që vendosin në qendër nevojat e viktimave, themelimit të institucionit për dokumentimin e krimeve të luftës, forcimit të kapaciteteve edhe në polici, edhe në prokurori për ndjekjen penale, si dhe mundësimin e gjykimeve në mungesë për kriminelët e luftës, sepse Serbia vazhdon të shërbejë si strehë për shumë prej autorëve të këtyre krimeve.
Tashmë në proces janë dymbëdhjetë aktakuza për rastet e dhunës seksuale gjatë luftës, e kemi një vendim të formës së prerë, pra një vendim dënues, aktgjykim dënues për këtë krim gjatë luftës e po ashtu dy vendime tjera presin që të marrin formën e prerë.
Por drejtësia mbetet e cunguar për aq kohë sa shumë prej autorëve të këtyre krimeve jetojnë sot të lirë në Serbi, të strehuar dhe të mbrojtur nga një shtet që ende nuk është përballur me përgjegjësinë e vet për krimet e kryera në Kosovë dhe që vazhdon të refuzojë bashkëpunimin e plotë në vënien e tyre para drejtësisë.
Prandaj përgjigjja jonë ndaj këtij krimi nuk mund të kufizohet në kujtesë ceremoniale, ajo duhet të jetë politike, duhet të jetë juridike e morale. Politike, sepse kërkon që shteti ynë të mos pushojë së kërkuari llogari. Juridike, sepse drejtësia duhet të përmbushet me ndjekje penale dhe dënim të kriminelëve. Morale, sepse mënyra se si një shoqëri i trajton të mbijetuarit e saj tregon shumë për karakterin e saj.
Po aq vendimtare është edhe beteja që zhvillohet brenda vetë shoqërisë sonë. Për sa kohë që një i mbijetuar ndien ende nevojën të heshtë nga frika e paragjykimit, detyra jonë mbetet e papërfunduar. Një shoqëri që ia lë viktimës barrën e turpit, e zgjat padrejtësinë përtej vetë krimit.
Prandaj i takon edhe shoqërisë sonë të tregojë pjekurinë morale të një kombi që di të ndajë qartë viktimën nga turpi dhe autorin nga përgjegjësia.
Dhe Republika jonë, Republika e Kosovës do të vazhdojë të dëshmojë, me vepra, se në këtë çështje nuk do të mungojë as kujtesa, nuk do të mungojë as drejtësia, dhe as përkushtimi institucional.
Ju faleminderit.


