...

Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani për nder të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve në Panairin Multikulturor për Fëmijë – “Trashëgimia nëpërmjet Duarve të Vogla”, të organizuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës

Shumë të dashur fëmijë, mirë se keni ardhur sot në Presidencën e Republikës së Kosovës dhe urime të gjithëve 1 Qershori nga zemra!

Të nderuar prindër,

Të nderuar edukatorë,

Të nderuar përfaqësues të institucioneve,

Ambasadorë,

Shumë të dashur qytetarë,

Një Qershori, Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve na kujton të gjithëve, siç po e shohim edhe sot nga prezenca e fëmijëve të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë, se ata nuk janë vetëm e ardhmja jonë, por janë edhe e tashmja jonë.

Ata janë drita e çdo familjeje, gëzimi i çdo shoqërie dhe arsyeja e fortë për ta ndërtuar një të ardhme edhe më të sigurt, edhe më të ndritshme në vendin tonë.

Në këtë ditë të veçantë, ku janë mbledhur fëmijë nga të gjitha viset në Kosovë dua ta përsëris një mesazh, që e theksoj çdoherë që flas për fëmijët tanë, kujdesi për fëmijët nuk është vetëm detyrë prindërore apo institucionale, por është përgjegjësi e përbashkët e të gjithë shoqërisë sonë.

Të gjithë fëmijët tanë, pa dallim etnie, gjinie apo përkatësie tjetër, meritojnë një fëmijëri të lumtur, arsim cilësor, ambient të sigurt dhe mbi të gjitha një jetë me dinjitet.

E ardhmja jonë si shoqëri matet pikërisht nga mënyra se si i trajtojmë fëmijët tanë. Kjo nënkupton më shumë investime në arsim, më shumë përkujdesje për shëndetin e tyre, më shumë mbrojtje nga dhuna, më shumë dashuri dhe mundësi për secilin prej tyre, në mënyrë që të ëndërrojnë dhe t’i përmbushin ëndrrat e tyre.

Prandaj, të gjithë duhet ta rrisim përkushtimin tonë që zëri i fëmijëve të dëgjohet edhe më shumë në çdo vendim, në çdo politikë dhe të drejtat e tyre të mbrohen në angazhimin tonë të përditshëm, në mënyrë që vendi ynë të jetë një shtëpi e madhe, ku çdo fëmijë ndihet i sigurt dhe i përfshirë.

Duhet ta themi jo vetëm sot por çdo ditë, se mbrojtja e fëmijëve nuk është vetëm një detyrim moral dhe ligjor, por është themeli i paqes së qëndrueshme dhe i zhvillimit të qëndrueshëm.

Prandaj, le t’i japim secilit fëmijë atë që e meriton: dashuri, vëmendje, mbrojtje dhe mundësi. Sot, siç e përmenda kemi fëmijë nga të gjitha komunitetet, por edhe policët dhe ushtarakët tanë, që sot janë prezentë i përfaqësojnë të gjitha komunitetet që jetojnë në Republikën tonë dhe ata sigurohen çdo ditë që ju të ndiheni të mbrojtur dhe të barabartë.

E përderisa po flasim për fëmijët, ne asnjëherë nuk i harrojmë ata që dhanë gjithçka dhe kontribuuan shumë në mënyrë që sot fëmijët tanë të jetojnë të lirë. Një prej njerëzve që ka dhënë më së shumti që të dëgjohet zëri i popullit të Kosovës është Ambasadori William Walker, të cilit sot edhe ia urojmë ditëlindjen!

Wishing you a very happy birthday, and many many more!

Dhe jam e bindur që koha, që e kalon sot në mesin tuaj do t’i japë edhe më shumë energji, edhe më shumë jetë, ambasadorit tonë të nderuar.

Të dashur fëmijë qofshi gjithmonë të buzëqeshur, qofshi gjithmonë të shëndetshëm dhe të lirë për të realizuar ëndrrat tuaja!

Urime 1 Qershori të gjithëve!

Ju faleminderit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.