...

Fjalimi i Presidentes Osmani në ceremoninë e dekorimit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës

E nderuar Vasfije,

E nderuar Shyhrete,

I nderuar Ramadan,

Të nderuar familjarë,

Të nderuar përfaqësues të vendeve mike,

Të nderuar përfaqësues të KRCT-së dhe të organizatave të tjera me të cilat bashkëpunojmë çdo ditë,

Të nderuar të pranishëm,

Ka momente kur fjalët nuk mjaftojnë për të shprehur mirënjohjen, siç ka edhe njerëz që me guximin e tyre të lënë pa fjalë. Sot jemi këtu për t’u përulur me respektin më të thellë përballë tre individëve, që janë më shumë sesa thjesht individë. Sepse me dhimbjen e tyre kanë ndriçuar rrugën drejt së vërtetës, drejtësisë dhe shpresës.

Znj. Vasfije Krasniqi, znj. Shyhrete Tahiri dhe z. Ramadan Nishori, sot e përgjithmonë do të mbeten emra të gdhendur në ndërgjegjen kolektive të popullit tonë.

Në histori janë të rrallë zërat, të cilët ndonëse të lodhur nga padrejtësia, flasin me fuqi që tund themelet e heshtjes. Vasfije, Shyhrete dhe Ramadan ju jeni pikërisht këta zëra. Ju jeni zëri i së vërtetës që po pret drejtësi me dekada. Ju jeni zëri që keni zgjedhur dinjitetin, jeni zëri i të mbijetuarve që refuzoni heshtjen.

Prandaj, sot me zemrën plot ju ndaj titullin mëse të merituar, Titullin “Nderi i Republikës”.

Për ju, që me aktin tuaj keni ngritur jo vetëm zërin tuaj, por zërin e mijëra të mbijetuarve që ende jetojnë me plagën e dhimbjes së krimeve të llahtarshme të kryera ndaj tyre.

Ky nuk është thjesht një dekorim. Një premtim i gjallë, se nuk do të lejojmë që historia t’i harrojë ata që u shkelën nga mizoria, dhe se Republika jonë asnjëherë nuk do të jetë e plotë pa drejtësi për ju dhe mijëra të mbijetuar të tjerë, të cilët përjetuan aktin më barbar nga regjimi i Millosheviqit.

Ramadan, dëshmia jote është një akt i jashtëzakonshëm i kurajos dhe i burrërisë. Ti je burri i parë që flet për këtë krim dhe je një përfaqësues i të gjithë atyre burrave, që për vite me radhë e kanë mbajtur dhimbjen brenda. Por me ty, kemi thyer edhe një tjetër mur të heshtjes dhe stigmatizimit. Asnjë njeri që është viktimë e një krimi nuk është fajtor. Siç e ke thënë edhe vetë: “Turpi përgjithmonë do të bie mbi ata, që kryen këtë krim e asnjëherë mbi të mbijetuarit, që u shndërruan në krenarinë e vendit tonë me luftën e tyre të pareshtur për drejtësi”.

Vasfije, zëri yt është bërë frymëzim për të gjithë ne si brez dhe për brezat që do të vijnë pas nesh. Ke folur kur ishte më së vështiri të flitej. Ke qëndruar kur ishte më së lehti të fshihej. Je bërë simbol i rezistencës, i forcës dhe i shpresës për të gjithë ata që ndihen të thyer. Ke qenë zëri që ka depërtuar nga Kongresi Amerikan në Këshillin e Sigurimit, e nga Parlamenti Evropian në çdo cep të botës.

Shyhrete, rrëfimi yt jo vetëm si një grua, por edhe si një nënë, që përjetoi dhimbjen dyfish, sepse dhimbja nuk ishte vetëm e jotja, por edhe e fëmijëve që përjetuan atë që përjetove ti, duke qenë dëshmitare të dhunimit, ke prekur zemrat e të gjithëve që kanë dëgjuar, jo vetëm në Kosovë, por përtej. Ti nuk je vetëm dëshmi e dhimbjes, por dëshmi e forcës së pamatshme e dashurisë dhe kujdesit ndaj të tjerëve edhe atëherë kur vetë mund të jesh ndier e rrënuar. Je shembull i fuqisë që njeriu ka për të ngritur jo vetëm veten, por një shoqëri dhe një shtet të tërë. Dhe, pikërisht këtë e ke bërë ti, e shembulli yt nuk është ndalur vetëm me ty, por vazhdon edhe me vajzat e tua edhe me fëmijët e tu.

Të nderuar të pranishëm,

Të mbijetuarit e dhunimit seksual gjatë luftës nuk janë thjesht viktima, janë dëshmitarë. Janë dëshmi e gjallë dhe shtylla jonë më e fortë e luftës për drejtësi. Janë zëri i së vërtetës, që na e kujton përditë, se pa drejtësi asnjëherë nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme.

Prandaj, çdo përpjekje e Republikës sonë do të orientohet për të kërkuar drejtësi, jo vetëm si vullnet moral, por si detyrim ndaj jetës, ndaj dinjitetit njerëzor dhe ndaj gjeneratave që do të vijnë pas nesh. Si një detyrim që të sigurohemi që askush mos të përjetojë më, atë që ka përjetuar populli ynë.

Nuk mund të ndërtojmë paqe të qëndrueshme pa drejtësi për gratë dhe burrat, që kanë përjetuar dhunën më çnjerëzore e në mesin e të cilëve ka pasur edhe fëmijë. Por me këtë përpjekje, ju keni ndryshuar Kosovën. Prandaj, ne të gjithë jemi me ju në këtë rrugëtim. Sot, Kosova përkulet para jush dhe nuk do të ndalemi derisa drejtësia të vijë, e derisa çdo njeri që ka pësuar të dëgjohet, të nderohet dhe mos të ndihet kurrë vetëm.

Prandaj, në bazë të kompetencave të mia kushtetuese si Presidente e Republikës së Kosovës, kam vendosur që Vasfijen, Shyhreten dhe Ramadanin t’i dekoroj me Urdhrin “Nderi i Republikës”, i cili jepet me këtë motivacion: Për guximin e jashtëzakonshëm për ta thyer heshtjen shumëvjeçare rreth krimeve më çnjerëzore të kryera gjatë luftës, për dinjitetin me të cilin keni përballuar dhimbjen dhe stigmën, si dhe për rolin e pazëvendësueshëm në ndërgjegjësimin shoqëror dhe ndërkombëtar për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.

E nderuar Vasfije,

E nderuar Shyhrete,

I nderuar Ramadan,

Të nderuar familjarë të këtyre tre heronjve të gjallë të popullit tonë,

Ka shumë të mbijetuar që sot na përcjellin nëpërmjet ekraneve. Shpresoj që nesër t’i kemi ulur ku jeni sot këtu, për ta marrë edhe ata titullin e merituar dhe ta dëgjojmë edhe zërin e tyre.

Sepse, regjimi gjenocidal i Millosheviqit duke përdorur aktin më barbar të dhunimit seksual, mendonte se mund t’ju çnderojë.

Por, ju u shndërruat në nderin e shtetit tonë, në nderin e kombit tonë. Sot, e vulosim këtë me dekret presidencial, por ju jeni vulosur si Nderi i Republikës sonë në analet e historisë së kombit.

Urime!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.