...

Presidentja Shiroka Pula: Mbrojtja e vajzave dhe grave kërkon angazhim të përditshëm dhe përgjegjësi të përbashkët

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, mori pjesë sonte në ceremoninë hapëse të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, të organizuar nga Ministria e Drejtësisë.

Presidentja theksoi se e drejta për jetë, siguri dhe dinjitet është e drejtë themelore e çdo gruaje dhe vajze dhe se askush nuk duhet të jetojë me frikën e dhunës.

Duke iu referuar vrasjes së fundit të Arlinda Zekajt, Presidentja theksoi domosdoshmërinë e reagimit me kohë dhe mbrojtje efektive.

Sipas Presidentes, mbrojtja e vajzave dhe grave kërkon angazhim të përditshëm dhe përgjegjësi të përbashkët institucionale.

Në këtë kontekst, Presidentja bëri të ditur se ka themeluar Këshillin Presidencial për Fuqizimin e Grave, Barazinë Gjinore dhe Mbrojtjen e të Drejtave të Grave. Përmes këtij mekanizmi gjithëpërfshirës, Zyra e Presidentes do të bashkëpunojë me Kuvendin e Republikës së Kosovës, Zyrën e Kryeministrit, Avokatin e Popullit dhe institucionet e tjera përkatëse. Bashkëpunimi do të përfshijë edhe përfaqësues të shoqërisë civile, akademisë dhe sektorit privat.

“Asnjë kërkesë për ndihmë nuk duhet të mbetet pa përgjigje. Këtë përgjegjësi duhet ta mbajmë çdo ditë, jo vetëm gjatë 16 ditëve të aktivizmit. Jeta, siguria dhe dinjiteti i çdo gruaje dhe vajze duhet të mbrohen. Ky është detyrim i yni”, theksoi Presidentja Shiroka Pula.

This site is registered on wpml.org as a development site.