...

Presidentja Shiroka Pula themeloi Këshillin Presidencial për Fuqizimin e Grave, Barazinë Gjinore dhe Mbrojtjen e të Drejtave të Grave

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka themeluar Këshillin Presidencial për Fuqizimin e Grave, Barazinë Gjinore dhe Mbrojtjen e të Drejtave të Grave, si platformë shtetërore me misionin për t`i avancuar të drejtat, sigurinë, pjesëmarrjen dhe pavarësinë ekonomike të grave dhe vajzave në të gjithë Kosovën.

Në vazhdën e aktiviteteve të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, Presidentja Shiroka Pula ritheksoi se fuqizimi i grave nuk është vetëm çështje e përfaqësimit apo e barazisë formale, por çështje e drejtësisë, dinjitetit njerëzor, demokracisë dhe së ardhmes së vendit. Ajo theksoi se garantimi i të drejtave, sigurisë dhe mundësive të barabarta për gratë dhe vajzat kërkon angazhim të vazhdueshëm dhe përgjegjësi të përbashkët institucionale e shoqërore.

Prioriteti qendror i Këshillit do të jetë fuqizimi ekonomik dhe financiar i grave, si dhe adresimi i dhunës ndaj tyre. Presidentja Shiroka Pula theksoi nevojën për zero tolerancë ndaj çdo forme të dhunës kundër grave, diskriminimit dhe mohimit të mundësive të barabarta, duke kërkuar reagim të koordinuar, mbrojtje dinjitoze për viktimat dhe llogaridhënie të plotë institucionale.

Ky Këshill do ta bashkojë ekspertizën e shoqërisë civile, profesionisteve të pavarura, akademisë, sektorit privat, komuniteteve dhe partnerëve ndërkombëtarë, për t`i identifikuar mangësitë, propozuar rekomandime konkrete, pa i zëvendësuar përgjegjësitë e institucioneve ekzistuese.

Presidentja Shiroka Pula ftoi institucionet, organizatat e shoqërisë civile, profesionistet dhe profesionistët, komunitetet dhe partnerët ndërkombëtarë që të bëhen pjesë e kësaj përpjekjeje të përbashkët, duke theksuar se fuqizimi i grave është përgjegjësi e të gjithë shoqërisë.

This site is registered on wpml.org as a development site.