Flamujt simbolizojnë shtetet, por flamuri ynë kuq e zi, me shqiponjën dykrenare, përfaqëson shumë më tepër.
Ai është simbol i shtetit shqiptar, por edhe i gjithë kombit tonë, kudo që jetojnë shqiptarët.
Ai na kujton historinë tonë, përpjekjet e brezave, sakrificat dhe luftën për liri.
Na kujton se, edhe në kohët më të vështira, shqiptarët nuk hoqën dorë nga gjuha, identiteti dhe e drejta për të jetuar të lirë e të pavarur.
Sot, kudo në hapësirën shqiptare valëvitet flamuri kuq e zi.
Flamuri me të cilin, më 28 nëntor 1912, në Vlorë, u shpall Shqipëria e lirë dhe e pavarur.
Atë ditë, Ismail Qemali, së bashku me patriotë nga të gjitha trevat shqiptare, shpalli një të drejtë të patjetërsueshme të popullit tonë: të jetonte i lirë dhe i pavarur.
Nga Hasan Prishtina, Isa Boletini e deri te qindra patriotë të tjerë nga Kosova, shqiptarët u bashkuan rreth një ideali. Rreth Shqipërisë së lirë.
Sot, jemi dy shtete të pavarura, por një popull vëllazëror, të lidhur përgjithmonë nga gjaku, gjuha, historia dhe dashuria për njëri-tjetrin.
Të nderuar të pranishëm,
Flamuri kuq e zi, i ngritur në demonstratat e 68-tës dhe 81-tës, u bë flamuri i qëndresës sonë.
U bë simbol i luftës çlirimtare.
Flamuri nën të cilin u bashkua ideali dhe sakrifica për lirinë e Kosovës.
Prandaj, 28 Nëntori është festë e katërfishtë për ne.
Dita e Flamurit dhe e Pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindja e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe dita e daljes së parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Adem Jashari e ktheu dashurinë për atdheun në vendosmëri për çlirim.
Bashkë me familjen e tij, u bë simbol i qëndresës dhe sakrificës sublime për lirinë e Kosovës.
Ai i përket historisë dhe kujtesës së gjithë kombit shqiptar. Kurse lufta e UÇK-së ishte luftë e drejtë, luftë për liri dhe për të drejtën e një populli për të jetuar i lirë në vendin e vet.
Sot, kur krerët e saj po përballen me drejtësinë në Hagë, ne nuk heqim dorë nga e vërteta historike.
Asnjë proces gjyqësor nuk mund ta zhbëjë të drejtën e popullit të Kosovës për liri dhe sakrificën mbi të cilën u ndërtua ajo.
Të nderuar ta pranishëm,
Sot, Shqipëria po përparon drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Si një popull me rrënjë të lashta në këtë kontinent, Shqipëria e ka vendin e saj në familjen evropiane.
Përkrah saj janë të gjithë shqiptarët, kudo.
Urojmë që flamuri kuq e zi të valëvitet së shpejti edhe në Bruksel.
Që Shqipëria të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian dhe të forcohet edhe më shumë pozita e kombit tonë në familjen evropiane.
Le ta nderojmë flamurin me punë, me dije dhe me përkushtim.
Le ta ruajmë gjuhën, identitetin dhe kujtesën tonë historike.
Le të mos harrojmë asnjëherë çmimin e lirisë.
Sepse flamuri që valëvitet sot është amanet i brezave që luftuan, sakrifikuan dhe dhanë jetën për të.
Le të integrohemi edhe më shumë ndër vete.
Më shumë Kosovë në Shqipëri dhe më shumë Shqipëri në Kosovë, deri te dita kur së bashku do të ngremë dolli në Bruksel!
Gëzuar Ditën e Flamurit dhe pavarësinë e Shqipërisë!
Zoti e bekoftë Kosovën dhe Shqipërinë!
