Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, priti në takim ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barišić. Gjatë takimit u riafirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera dhe miqësia ndërmjet dy vendeve, si dhe u diskutua për mundësitë e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit.
Presidentja vlerësoi Kroacinë si një vend mik dhe mbështetëse e fuqishme e Kosovës, duke shprehur mirënjohjen për përkrahjen e saj që nga vitet e luftës, njohja e pavarësisë dhe proceset e konsolidimit të shtetit. Ajo kujtoi gjithashtu kontributin e shqiptarëve në luftën për lirinë e Kroacisë, duke e cilësuar atë si një urë të rëndësishme miqësie dhe afërsie ndërmjet dy popujve dhe shteteve.
Në takim, Presidentja vlerësoi edhe angazhimin e ambasadores Barišić në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe në thellimin e miqësisë ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë.
Bashkëbisedimi u përqendrua edhe në mundësitë për konkretizimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, drejtësisë, shëndetësisë, arsimit dhe shkencës, si dhe në zgjerimin e shkëmbimeve ekonomike e tregtare dhe investimeve.
Presidentja Shiroka Pula theksoi rëndësinë që marrëdhëniet e afërta politike dhe diplomatike të konktetizohen nëpërmjet projekteve në interes të qytetarëve të të dy vendeve.


