Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka marrë pjesë sonte në Konferencën e Parë Ndërkombëtare për Cilësinë e Shërbimeve Shëndetësore.
Në fjalën e saj para të pranishmëve, Presidentja Shiroka Pula tha se kur një qytetar kërkon ndihmë mjekësore, ai pret ta marrë shërbimin e duhur, në kohën e duhur dhe me kujdesin e duhur, pret të dëgjohet, të trajtohet me dinjitet dhe të ndihet i sigurt.
Ajo më tej tha se besimi i qytetarëve në sistemin shëndetësor ndërtohet nëpërmjet shërbimeve të sigurta, të qasshme dhe cilësore.
Me këtë rast, Presidentja Shiroka Pula ka vlerësuar kontributin e rëndësishëm të Zvicrës, e cila nëpërmjet SDC-së, mbështet vazhdimisht zhvillimin e sektorit të shëndetësisë në Kosovë.
Presidentja ka thënë se është e bindur se kjo konferencë do të shërbejë si hapësirë e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave, ideve dhe praktikave të mira, ashtu siç është e bindur se në qendër të investimeve dhe reformave duhet të jenë pacientët, shëndeti dhe siguria e tyre.
Në fund, Presidentja Shiroka Pula ka thënë se sistemi shëndetësor i fortë është themel i një shteti të fortë dhe i një shoqërie me qytetarë të shëndetshëm.




