...

Fjalimi i Presidentes Shiroka Pula me rastin e ndërrimit të komandës së KFOR-it

Është kënaqësi të jem sot me ju në këtë moment të rëndësishëm të ndërrimit të komandës së KFOR-it, një mision, i cili prej më shumë se 27 vitesh ka rol tëveçantë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë.

Historia e Kosovës është, në një pjesë të rëndësishme të saj, histori e partneritetit me aleatët tanë. Që nga viti 1999, KFOR-i ka qenë pjesë e këtij rrugëtimi, ndërsa sot, teksa institucionet tona të sigurisë po zhvillojnë kapacitetet dhe përgjegjësitë e tyre, ky partneritet mbetet i rëndësishëm për stabilitetin e vendit dhe për perspektivën tonë euroatlantike.

Përgjatë viteve, me mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë, kemi ndërtuar dhe fuqizuar institucionet tona të sigurisë, të cilat sot mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për reagimin ndaj sfidave të sigurisë dhe për mbrojtjen e qytetarëve.

Ky zhvillim dëshmon se partneriteti ynë ka prodhuar rezultate konkrete. Institucionet e Kosovës kanë avancuar në profesionalizëm, kapacitete dhe përgjegjësi, duke ruajtur njëkohësisht bashkëpunimin e ngushtë me KFOR-in dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë.

Në arkitekturën tonë të sigurisë, KFOR-i vazhdon të ketë një rëndësi të veçantë. Prania e tij, mandati dhe bashkëpunimi me institucionet vendore kontribuojnë në sigurinë e përgjithshme dhe në besimin e qytetarëve.

Dua të shpreh mirënjohjen më të thellë për të gjithë ushtarakët dhe pjesëtarët e shteteve kontribuuese që kanë shërbyer në kuadër të KFOR-it që nga viti 1999. Shumë prej tyre kanë kaluar periudha të gjata larg familjeve të tyre, duke shërbyer në Kosovë me përkushtim dhe përgjegjësi. Kontributi i tyre është pjesë e historisë sonë të përbashkët dhe do të mbetet i vlerësuar nga qytetarët e Kosovës.

Të nderuar të pranishëm,

Synimi ynë strategjik për anëtarësim në NATO mbetet i qartë. Ne synojmë që, një ditë, Kosova të mos jetë vetëm përfituese e sigurisë, por edhe kontribuuese e drejtpërdrejtë në të. Të qëndrojmë përkrah aleatëve tanë, duke marrë pjesë në përpjekjet e përbashkëta për paqe dhe siguri, përfshirë misionet ndërkombëtare, në përputhje me statusin dhe detyrimet tona si anëtare e NATO-s në të ardhmen.

Ndërrimi i komandës është një mundësi për të riafirmuar vazhdimësinë e partneritetit tonë.

Gjeneralmajor Ulutaş, ju falënderoj edhe një herë për shërbimin dhe bashkëpunimin tuaj!

Gjeneralmajor Vergori, ju uroj suksese në detyrën e re dhe ju siguroj për gatishmërinë tonë për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me ju dhe me të gjithë pjesëtarët e KFOR-it!

Ju faleminderit për shërbimin tuaj dhe për kontributin që jepni çdo ditë për paqen dhe sigurinë në Kosovë!

This site is registered on wpml.org as a development site.