Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë, Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar mbi 1500 personat që ende rezultojnë të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë dhe ka shprehur solidaritet me familjet që prej afër tri dekadash presin të mësojnë fatin e më të dashurve të tyre.
U.D. Presidentja Haxhiu theksoi se zbardhja e fatit të secilit person të zhdukur mbetet përgjegjësi e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe se kjo çështje nuk mund të konsiderohet e mbyllur derisa të gjendet edhe personi i fundit.
Ajo bëri të ditur se vetëm gjatë vitit të fundit, në 17 lokacione janë gjetur mbetje mortore të 30 personave, ndërsa gjatë muajit të fundit, në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut, janë gjetur mbetje mortore të së paku 23 personave.
“Dua t’i falënderoj institucionet e Republikës së Kosovës për profesionalizmin dhe kujdesin e treguar në këtë proces kaq të ndjeshëm, veçanërisht në kërkimet e fundit. Policinë e Kosovës, Prokurorinë, Institutin e Mjekësisë Ligjore, Komisionin Qeveritar dhe të gjithë ata që po e mbështesin këtë punë të rëndësishme”, tha U.D. Presidentja Haxhiu.
Sipas saj, gjetjet e fundit tregojnë se kërkimet po vazhdojnë, por njëkohësisht nxjerrin në pah vështirësitë që krijon mungesa e bashkëpunimit nga Serbia.
U.D. Presidentja Haxhiu i bëri sërish thirrje Serbisë që t’i hapë arkivat që lidhen me krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, duke theksuar se dokumentacioni i institucioneve serbe mund të ndihmojë në përcaktimin e zinxhirit të urdhrave dhe në gjetjen e vendeve ku janë varrosur personat e vrarë dhe të zhdukur me dhunë.
Ajo u bëri thirrje edhe partnerëve ndërkombëtarë që të shtojnë kërkesën ndaj Serbisë për hapjen e këtyre arkivave.
“Ne do të vazhdojmë punën me përkushtim maksimal derisa të gjendet edhe personi i fundit”, tha U.D. Presidentja Haxhiu.















