...

U.D. Presidentja Haxhiu ka kujtuar Hasan Prishtinën në 93-vjetorin e vrasjes

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, në 93-vjetorin e vrasjes së tij, ka kujtuar Hasan Prishtinën, një ndër figurat që i dhanë drejtim politik lëvizjes kombëtare shqiptare në fillim të shekullit XX.

“Unë jam gati të jap në çdo kohë jetën time për këtë atdhe”, tha Hasan Prishtina në Parlamentin Osman, në dhjetor të vitit 1910, teksa fliste kundër dhunës mbi shqiptarët, mbylljes së shkollave shqipe dhe represionit në Kosovë”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.

Ajo tutje tha se dy vjet më vonë, i priu Kryengritjes së vitit 1912, duke i kthyer kërkesat e shqiptarëve në program politik dhe në veprim.

“Pas vitit 1912, pjesën më të madhe të veprimtarisë së tij ia kushtoi Kosovës dhe shqiptarëve që mbetën jashtë kufijve të shtetit shqiptar. Ishte ndër drejtuesit e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” dhe, edhe kur mori përgjegjësi të larta në Shqipëri, Kosova mbeti në qendër të angazhimit të tij politik. Hasan Prishtina u vra në Selanik, më 13 gusht 1933, nga Ibrahim Çelo. Pas vetes la më shumë se dy dekada përpjekje politike për Kosovën dhe për të drejtat e shqiptarëve”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.