...

U.D. Presidentja Haxhiu: Përgjegjësia ndaj qytetarit është themeli i besimit në uniformë

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë sot në shënimin e 20 vjetorit të Inspektoratit Policor të Kosovës.

Në fjalën e saj para të pranishmëve, U.D. Presidentja Haxhiu tha se për dy dekada, Inspektorati Policor i Kosovës ka kryer një punë të madhe, që merr pak vëmendje publike, por pa të cilën besimi në polici do të ishte më i brishtë.

“Inspektorati Policor i Kosovës u ngrit me një mision që nuk është kurrë i lehtë: të kujdeset që ata të cilët e mbrojnë qytetarin të mbeten vetë brenda ligjit. Një nga detyrat më të vështira që një shtet demokratik mund ta ndërtojë vetë. Sepse është e thjeshtë të kërkosh përgjegjësi nga të tjerët, por është shumë më e vështirë që shteti ta vendosë të njëjtin standard mbi vetë institucionet e tij”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.

Sipas saj, për njëzet vjet me radhë, ky Inspektorat e ka mbajtur atë vështrim të kthjellët, e ka kryer punën me përgjegjësi dhe me bindjen se llogaridhënia nuk e dobëson policinë, por e forcon atë.

“Me bindjen se transparenca nuk e cenon autoritetin e uniformës, por e bën atë të besueshëm. Dhe se një polici e mbikëqyrur me integritet është një polici që qytetari e ndien të vetën. Prandaj, besimi në Policinë e Kosovës ndër vite është rritur”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu.

Ajo më tej tha se sot dua të ndalem, para së gjithash, te njerëzit që e mbajnë këtë institucion.

“Te të gjithë zyrtarët e gjeneratës, por sidomos ata të gjeneratës së parë, të cilët e nisën këtë rrugë kur ende nuk kishte shembull për ta ndjekur. Ata nuk trashëguan një institucion të gatshëm por e ndërtuan vetë, me përkushtim, me durim dhe me barrën e vështirë që e mbajnë gjithmonë ata që janë të parët. Punuan në heshtje dhe e mbajtën lart një ide të thjeshtë e të madhe njëkohësisht: se Policia e Kosovës u përket qytetarëve të saj, dhe se çdo uniformë mban mbi supe besimin e qytetarëve”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu.

U.D. Presidentja Haxhiu, tutje shtoi se këtë ditë e ndajmë edhe me institucionet dhe agjencitë partnere që i qëndruan pranë Inspektoratit që në fillimet e tij, sepse sipas saj, asnjë institucion i qëndrueshëm nuk ndërtohet vetiu, ai ndërtohet me bashkëpunim, me mbështetje dhe me vullnet të përbashkët ndaj standardeve demokratike.

U.D. Presidentja Haxhiu tha se besimi i qytetarit fitohet çdo ditë, në secilën përgjigje që ky inspektorat i jep një qytetari që kërkon drejtësi, dhe qytetarët tanë e kanë kuptuar këtë.

“U përmend dhe e pamë që gjatë vitit 2025, Inspektoratit Policor të Kosovës iu drejtuan 2,539 qytetarë, rreth 500 më shumë se në vitin paraprak. Kjo rritje është dëshmi e një besimi në rritje. Është shenjë se qytetarët po e shohin Inspektoratin si adresë ku mund të drejtohen, ku mund të dëgjohen dhe ku shqetësimet e tyre trajtohen me seriozitetin më të lartë institucional. Ndër qytetarët që i janë drejtuar këtij institucioni ndër vite ka pas edhe nga komunitetet që nuk janë shumicë në Kosovë, serb, turq, boshnjakë, romë, ashkali dhe egjiptianë. Kjo derë nuk pyet se kush je apo çfarë gjuhe flet. Ajo pyet vetëm nëse të është shkelur e drejta. Dhe kur përgjigja është po, pra hapet dera për të gjithë njësoj”, theskoi U.D. Presidentja Haxhiu.

Sipas saj, ky është kuptimi më i thellë i barazisë para ligjit, dhe është pikërisht ky kuptim që Inspektorati Policor i Kosovës e ka mbrojtur në secilën prej këtyre njëzet viteve.

“Njëzet vjet të Inspektoratit Policor nuk mund të ndahen nga rrugëtimi ynë si shtet. Pra, çdo institucion që ne kemi ngritur me përgjegjshmëri, çdo standard që kemi vendosur mbi vetveten, na ka afruar te shteti që gjithmonë e kemi ëndërruar: një shtet ku ligji vlen njësoj për të gjithë. Pavarësia, transparenca dhe përgjegjshmëria e këtij Inspektorati janë matëse të pjekurisë sonë demokratike dhe pjesë e pandashme e rrugëtimit tonë evropian”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.

Ajo tutje tha se institucionet e Republikës duhet të vazhdojnë të qëndrojnë pranë këtij institucioni: duke mbrojtur pavarësinë e tij, duke forcuar profesionalizimin e njerëzve të tij dhe duke ruajtur besimin publik si themel të punës së tij.

Sipas saj, vitet që vijnë kërkojnë edhe më shumë pavarësi për Inspektoratin, më shumë kapacitete hetimore dhe më shumë besim të fituar me punë konkrete.

Në fund, U.D. Presidentja Haxhiu ka falënderuar Inspektoratin për njëzet vjet punë të ndershme në një detyrë që rrallë sjell mirënjohje, por gjithmonë kërkon karakter shumë të fortë.

“Ju falënderoj që ruajtët qetësinë kur duhej vendosmëri, dhe vendosmërinë kur kërkohej drejtësi. Falë punës suaj, qytetari e di se pas çdo uniforme qëndron një ligj, dhe pas çdo ligji duhet të qëndrojë dikush që kujdeset që ai të respektohet. Ju uroj përzemërsisht për këtë përvjetor! Njëzet vitet e ardhshme le të jenë dëshmi edhe më e fortë e së njëjtës bindje që ju bashkoi që nga fillim: se një shtet bëhet i fortë vetëm atëherë kur ka guximin të jetë i drejtë me vetveten”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.