Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka vizituar sot ekspozitën personale “Dalja N’dritë” të fotografit Hazir Reka, që na riktheu në momente kyçe të historisë sonë.
“Në këto fotografi shihen vitet 1988–1989, protestat qytetare, grevat e minatorëve dhe një popull që, edhe kur i merrej zëri institucional, gjente mënyra për të folur me këmbëngulje, me revoltë dhe me dinjitet”, tha U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo tutje tha se një vend të veçantë zë greva historike e minatorëve të Trepçës.
“Ata burra, në thellësi të nëntokës, e ngritën lart ndërgjegjen e një vendi të tërë. Me trupat e lodhur dhe me zemrën e fortë, minatorët u bënë zë i Kosovës në ditët kur liria kërkonte guxim, sakrificë dhe qëndresë”, ka theksuar U.D. Presidentja.
Sipas saj, kjo ekspozitë është dëshmi dhe dokumentim i qëndresës dhe sakrificës së shumë brezave në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe shtetndërtimit.
“Fotografitë nga Hazir Reka shërbejnë si një arkiv i çmuar i kujtesës sonë kolektive, duke na kujtuar rëndësinë e ruajtjes së historisë dhe nderimit të atyre që kontribuan në momentet vendimtare të vendit tonë”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.











